Qëndrim Kqiku, aktori gjilanas ka bërë me dije se kohëve të fundit është duke pasur një angazhim më serioz dhe më të ngjeshur në fushën e aktrimit pasi është i kyçur në disa projekte, duke përfshirë këtu angazhimin e tij në serialin “Vendlindja ime”, që jepet në televizionin Publik të Kosovës.
Por, përveç në këtë projekt televiziv, Kqiku thotë se është angazhuar edhe në dy projekte teatrale, që pritet të jenë të gatshme për publikun së shpejti.
Kur jemi te seriali televiziv “Vendlindja ime”, aktori gjilanas Qëndrim Kqiku thotë se tani së fundi është kyçur në këtë projekt dhe vlerëson faktin se është pjesë e një ekipi të mirë duke përfshirë këtu edhe profesorin Enver Petrovci.
“Për mua është nderë të jem pjesë e një seriali ku është profesori jonë i nderuar, aktori Enver Petrovci. Nga kjo javë fillon roli im në episodin e 83-të, por do të ketë edhe episode të tjera ku do të jem i përfshirë, e ku do ta shpërfaqi veten në rolin që kam”, ka thënë Kqiku për Portalin 2LONLINE.com.
Ai tha e ky serial televiziv është i mirë dhe se prek tema sociale dhe shumë të rëndësishme që përfshijnë realitetin.
“Përndryshe, unë përveç projekteve televizive, po ashtu jam i angazhuar edhe në dy projekte tjera teatrale, të mbështetura nga Ministria e Kulturës. Bëhet fjalë për shfaqjen “Partia” dhe Monodramën “Autoban”, që pritet të jepen premierë në mars të këtij viti. Shfaqja “Partia” pritet të jepet ka fillimi i marsit në Teatrin e Qytetit të Gjilanit”, ka thënë aktori Kqiku. /2LONLINE.com/