(2L ONLINE) – Komiteti për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit (KUMM) ka miratuar të martën, në takimin e parë të punës për pjesën e dytë të këtij viti, propozim-vendimin për revidimin e planit rregullues të hollësishëm ‘Qendra 4’, derisa propozim-rregulloren për leje mjedisore e ka shtyrë për takimin e radhës.
Valon Shefkiu, drejtor për Urbanizëm, ka thënë se “Qendra 4” përfshin një sipërfaqe prej 28 hektarësh, që fillon nga rreth-rrotullimi te xhamia e vogël dhe shtrihet deri te Fabrika e Radiatorëve, ish-Kombinati i tekstilit si dhe rruga e Preshevës.
Riorganizimi i hapësirës bëhet me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për ndërtim të planifikuar, ka thënë Shefkiu, duke nënvizuar se në këtë pjesë të qendrës duhet të lejohet ndërtimi i lartë, si mundësi për zhvillim më të mirë dhen si nevojë për mbrojtjen e tokës.
Propozimi për qasje në këtë zonë, është përkrahur edhe nga opozita. Florina Zymberi (PDK) ka kërkuar që në proces të përfshihen edhe pronarët dhe grupet e interesit.
Murat Hoxha, kryesues i KPUMM ka thënë se ne do ta japim kontributin tonë edhe gjatë fazës së planifikimit, ku do të organizohen edhe debatet me publikun. KPUMM ka e ka shtyrë për takimin e radhës propozim-rregulloren për leje mjedisore, për t`i siguruar që është e harmonizuar me ligjin dhe udhëzimet administrative dhe duke kërkuar që të jetë më e arsyetuar te pjesa e taksave.
Fehmi Agushi, zyrtar për Mjedis, tha se kjo rregullore është e nevojshme me qëllim të parandalimit dhe zvogëlimit të ndikimeve negative në mjedis. Komuna është autoriteti kompetent për zbatimin e procedurës së dhënies së lejes mjedisore, ka thënë ai. /2L ONLINE/