(2L ONLINE) – Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), të martën, në mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal Raportin e punës së kryetarit të Komunës, për vitin 2014, Raportin financiar janar-dhjetor 2014, disa propozim vendime si dhe i ka rishqyrtuar dy vendime të mëhershme, sipas kërkesës së MAPL dhe Ministrisë së Financave.
Raporti i kryetarit të Komunës është vlerësuar gjithëpërfshirës nga Avdyl Aliu (LDK), ndërkaq Bujar Nevzati (PDK), ka thënë se raporti evidenton vetëm sukseset, që pa dyshim se ka pasur, por anashkalohen të metat në qeverisje.
Sa i përket raportit financiar, Zijadin Maliqi (LDK), ka thënë se shihet që është bërë një menaxhim i mirë i buxhetit. Të hyrat vetanake kanë shënuar rritje për 12 për qind në krahasim me vitin paraprak, ndërsa shpenzimet janë ulur aty ku ka pasur mundësi dhe falë kursimit, është arritur të shlyhen mbi 2 milionë euro borxhe të trashëguara.
Duke dhënë përgjigje në pyetjen e Bujar Nevzatit (PDK) rreth nivelit të pagesës së borxhit dhe shumës së mbetur, Ilmi Limani, drejtor financiar, ka thënë se janë shlyer mbi 2 milionë euro nga borxhi i faturuar prej 4.12 milionë euro.
Po ashtu KPF ka rekomanduar për Kuvend Komunal edhe propozimin-vendimin për bartjen e mjeteve financiare nga të hyrat vetanake të viteve 2013 e 2014 në vitin fiskal 2015, të cilin e ka arsyetuar drejtori Ilmi Limani.
Propozim-vendimi për anulimin e pjesshëm të vendimit nr. 7840, të datës 14.07.2009 dhe vendimit nr.16-7086, të datës 30.05.2011, është arsyetuar nga Sadudin Berisha, drejtor për Kadastër, i cili ka thënë se përbërja e kaluar e Kuvendit Komunal e kishte miratuar kundërligjshëm këtë vendim për shpalljen “interes i përgjithshëm” i disa pronave shoqërore, me të cilat ka menaxhuar AKP-ja.
Ai ka thënë se bëhet fjalë për disa parcela të ish-Kombinatit Bujqësor, që janë privatizuar nga AKP-ja. Me kërkesën e titullarëve të rinj, duhet të anulohet ky vendim dhe të bëhet ndryshimi i gjendjes faktike, ka thënë Berisha. Në këtë hapësirë ishte planifikuar ndërtimi i shkollës së Bujqësisë, por ky objekt është ndërtuar në një lokacion tjetër.
Kurse sa i përket propozimit të Selami Xhemajlit (AAK) dhe Nevzad Isufit (VV), për t`i proceduar njëherësh edhe disa ngastra tjera në këtë lokacion, për të njëjtat arsye, Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e KPF ka thënë se kjo nuk mund të bëhet derisa kërkesa nuk kalon nëpër Komitetin e Pronës dhe nuk iu nënshtrohet procedurave tjera të parapara.
KPF rekomandoi për Kuvend edhe propozim-vendimin për lejimin e ndërtimit të Palestrës së Sporteve në Zhegër, me gjithë kërkesën e këshilltarit komunal nga ky lokalitet, Isa Agushi, për ndërrimin e lokacionit të propozuar, i cili, sipas tij, nuk është vend i përshtatshëm. Qytetarët duhet të vendosin vetë se në cilin vend duan të jetë palestra, ka thënë Agushi.
Sadudin Berisha, drejtor për Kadastër, sqaroi se propozimi për këtë lokacion ka ardhur nga Këshilli i fshatit. Kurse, Valentina Bunjaku-Rexhepi, tha se Këshilli i fshatit është trupë e zgjedhur prej vetë qytetarëve. Ajo e ka lënë të hapur mundësinë që çështja e lokacionit të diskutohet gjatë javës me qytetarë si dhe në Kuvend Komunal, i cili ka të drejtë të marrë vendim për lokacionin.
KPF e ka rishqyrtuar edhe nenin 3, pika 1 të Rregullores për plotësim dhe ndryshim të Rregullores për taksat, ngarkesat dhe gjobat komunale, sipas rekomandimit të Komisionit të përbashkët të MF-MAPL, të cilin e ka paraqitur Hevzi Matoshi nga Zyra Ligjore, duke nënvizuar se është kërkuar që kjo pikë të harmonizohet me ligjet ekzistuese.
Po ashtu, KPF e rishqyrtuar edhe vendimin për dhënien në shfrytëzim të ngastrës kadastrale P-70403013-00162-8, sipas rekomandimit të MAPL-së, e cila ishte ndarë për nevoja të banimit individual për një rast social, hapësirë kjo ku nga përbërja e kaluar e Kuvendit Komunal janë ndarë 6 ngastra, në një sipërfaqe të përgjithshme prej 15 ari.
Sadudin Berisha tha se MAPL ka heshtur në rastet e kaluara. Valentina Bunjaku-Rexhepi tha se bëhet fjalë për lokacionin e njëjtë, ku tashmë janë ndërtuar 6 shtëpi, ndërsa tani kundërshtohet ndarja e truallit të vetëm të mbetur në këtë hapësirë, që po ashtu është dhënë për një rast social.
KPF e rekomandoi për Kuvend Komunal edhe kërkesën për ridestinimin e një hapësire në lagjen “Dardania”. Valon Sehfkiu, drejtor për Urbanizëm, ka thënë se në këtë hapësirë që tani përdoret si treg për shitjen e drurëve, është planifikuar realizimi i një projekti të Komisionit Evropian “Kosova e bukur”.
Së fundi, KPF ka rekomanduar edhe propozim-vendimin për ridestinimin e mjeteve financiare, nga një program në një program tjetër, brenda Drejtorisë së Arsimit.
KPF ka rekomanduar edhe kalendarin vjetor të mbledhjeve të Kuvendit dhe të Komiteteve, të cilin e ka arsyetuar Sadri Arifi,shef i Shërbimit të Kuvendit, ndërsa propozim-planin e punës së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, për vitin 2015, e ka shtyrë për ndonjë mbledhje tjetër, meqë mungoi kryesuesi i KKSB-së.
KPF vendosi që mbledhja e ardhshme e Kuvendit Komunal të mbahet më 11 mars. /2L ONLINE/