Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), në takimin e sotëm, nën udhëheqjen e kryesueses Shpresa Kurteshi-Emini, pas një debati të gjerë, veçmas rreth dy propozimeve për harmonizimin e kushteve urbanistike në dy plane rregulluese, ka përcaktuar rendin e punës për seancën e Kuvendit Komunal, e cila mbahet javën e ardhshme, më 30 qershor.
Komiteti kërkoi nga Drejtoria e Urbanizmit që pikat: Harmonizimi i kushteve urbanistike në një zonë të PRRU “Livadhet e Arapit” dhe në një të PRRU “Kodra e Thatë” të riemërtohen dhe të mos quhen “harmonizim”, sepse, sipas opozitës, Kuvendi Komunal nuk ka të drejtë ta bëjë këtë.
KPF rekomandoi pa vërejtje Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) për vitin fiskal 2021 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2021-2023 si dhe Raportin financiar janar-mars 2020, për të cilat sqarime dha Ilmi Limoni (DBF).
Sa i përket propozim-vendimit për emërimin e Komisionit për zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në IEAA-e, ku po ashtu kishte vërejte nga opozita, sqarimet e nevojshme i ka dhënë drejtori i Arsimit Nazim Gagica.
KPF vendosi që për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, t`i heq nga rendi i punës Raportet e Komisionit komunal të aksionarëve për vitin 2019 të ndërmarrjeve “Ecohigjiena” dhe “Tregu”, duke e lënë vetëm raportin e NPL “Stacioni i Autobusëve”.
Po ashtu, Komiteti vendosi t`i përfshijë në rend dite të seancës së Kuvendit Komunal edhe një informatë për projektin e zgjerimit të rrugës në qendër të qytetit si dhe rregullimin e rrugëve në lagjen “Dardania”, me kërkesë të opozitës si dhe një informatë nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për arsyet e zhvendosjes së stafit të kësaj drejtorie në lokalet e bibliotekës.
Sa iu përket vërejtjeve rreth rendit të punës, kryesuesja Shpresa Kurteshi Emini, tha se propozimet bëhen nga kryetari i Komunës, ndërsa diskutohen, harmonizohen dhe rekomandohen nga shefat e grupimeve politike në Kuvend dhe Komiteti për Politikë dhe Financa.
Ajo sqaroi se për shkak të rrethanave që janë krijuar nga pandemia Covid 19, Kuvendi është duke punuar me agjendë të reduktuar.
Në debatin rreth përcaktimit të rendit të punës së Kuvendit dhe pikave konkrete, kanë marrë pjesë Riza Abdyli, Nevzad Isufi, Ibish Ibishi, Avdyl Aliu, Arijeta Rexhepi, Shemsedin Ramushi dhe të tjerë, ndërkaq sqarime kanë dhënë drejtorët Bekim Bajrami (DUMM), Nazim Gagica (DA) si dhe përgjegjësi i Drejtorisë për Buxhet, Ilmi Limani.