(2L ONLINE) – Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), të enjten, në takimin e radhës, të udhëhequr nga Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal Rregulloren për përgjegjësitë disiplinore dhe materiale të punonjësve të arsimit, Planin e veprimit për transparencë, pastaj tri propozim-vendime për qasje në planet rregulluese të qytetit si dhe çështje të tjera.
KPF ka shtyrë për një seancë tjetër, me propozimin e përfaqësuesit të LDK-së, Avdyl Aliu, propozimin-vendimin për emërimin e anëtarëve të Komisionit Komunal të Aksionarëve në Ndërmarrjen transportuese të udhëtarëve “Kosovatrans” si dhe në PPP “Ecohigjiena”, ndërkaq ka proceduar propozimet për t`i rekomanduar Komisionit statutar që në ndryshimin e statutit t`i përfshijë edhe themelimin e Komitetit si dhe Zyrës për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvgejë e Bujanoc.
Aliu ka thënë se Kuvendi Komunal do të plotësohet edhe zëvendës-kryesuesin për Komunitete si dhe me nënkryetarin e Komunës për Komunitete.
Opozita ka votuar kundër ndryshimit të rendit të ditës, që nga Bujar Nevzadi (PDK) u cilësua si agjendë politike.
KPF e ka rekomanduar për Kuvend Komunal edhe kërkesën e Drejtorisë së Administratës për mbulimin e shpenzimeve të shërbimit të pilot-projektit “Shtëpi-Komuna” për një periudhë 6-mujore.
Valentina Bunjaku-Rexhepi tha se Drejtoria e Administratës ka kërkuar nga KPF që t`i rekomandojë Kuvendit Komunal nxjerrjen e një vendimi për heqjen e shpenzimeve të postës për këtë projekt, që qytetarëve u ofron mundësi aplikimi “online” për dokumente të gjendjes civile si dhe marrjen e shërbimit në shtëpi, përmes postës.
Nazim Gagica, drejtor i Administratës, ka thënë se për të mbuluar këtë shërbim për periudhën 6 mujore, nevojiten përafërsisht 2 mijë euro. Kërkesa është përkrahur nga të gjitha grupimet politike në KPF.
Sa i përket Rregullores për përgjegjësitë më arsim, e cila u votua nga të gjithë anëtarët e KPF, Bardhyl Syla nga DKA tha se dy herë i është nënshtruar dëgjimit publik si dhe diskutimit në grupe më të ngushta të mësimdhënësve, por u shprehen të gatshëm që t`i marrin parasysh edhe disa vërejtje parimore që u bënë nga anëtarët e KPF.
Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, ka thënë se kjo është një rregullore shumë e arsyeshme për punën tonë.
Pa diskutime u rekomandua për KK edhe Plani i veprimit për përmbushjen e transparencës, të cilin e paraqiti Hevzi Matoshi nga Zyra Ligjore, sikurse edhe propozimet për nevojën e qasjes në planet rregulluese “Qendra-pjesa e vjetër e qytetit, “Kodra e Dëshmorëve”, “Nënkodra e Dëshmorëve”, “Zona Perëndimore – Qarku” si dhe në një pjesë të lagjes “Fidanishte”. Arsyetimin e ka dhënë Fadil Sherifi, shef i Planifikimit në Drejtorinë e Urbanizimit.
KPF u dakordua me shumicë të votave, që seanca e ardhshme e Kuvendit Komunal të mbahet më 27 maj, një ditë para kalendarit të rregullt, për shkak të fillimit të fushatës zgjedhore më 28 maj. /2L ONLINE/