Është mbajtur sot mbledhja e katërt e Komitetit për Politikë e Financa, ku është diskutuar për një varg pikash të rendit të ditës të parapara për këtë mbledhje.
Një ndër pikat që është diskutuar me theks të veçantë ka qenë ajo e Pasqyrave Financiare të Buxhetit Komunal për periudhën janar-mars 2023.
Fillimisht, kryesuesi i Kuvendi Bekim Azizi, ka njoftuar për konfirmimin e ligjshmërisë së disa pikave nga seanca e fundit, ndërkohë ka bërë të ditur se për një pikë është kërkuar të rikthehet në shqyrtim.
Edhe kryesuesi Azizi, por edhe zv.kryetari i komunës Hasan Aliu, kanë uruar gjithë qytetarët e besimit islam për festën e Fitër Bajramit.
Në pikën e rendit të ditës rreth pasqyrave financiare gjatë periudhës janar-mars 2023, drejtori i kësaj drejtorie Besnik Imeri tha se janë inkasuar gjithsej të hyra vetanake në vlerë prej 248.894.28€ ndërsa shkalla e inkasimit duke u bazuar në planifikimin vjetor është 23,64%. Kurse krahasuar me të hyrat për periudhën e njëjtë të vitit paraprak të hyrat e këtij viti janë më të larta për 81.422,00€.
E shkalla e shpenzimit sipas buxhetit të alokuar për këtë periudhë nga fondet burimore: granti qeveritar, të hyrat vetanake dhe donacionet janë 3,112.913,40€ ndërsa shpenzimet janë 2,949.641,98€ e shpenzimi për këtë periudhë është 94,76% në krahasim me alokimet për të gjitha programet dhe kategoritë ekonomike”, tha drejtori Imeri.
Gjithashtu, në këtë mbledhje u miratua që të procedohet për Kuvend, draft rregullorja për menaxhimin e mbeturinave në komunën e Vitisë, e cila siç u tha nga drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike Basri Aliu, përbëhet nga 11 kapituj duke përfshi aktivitetet, operatorin, mbikëqyrjen, implementimin dhe kundërvajtjen etj.
Për kuvend u proceduan edhe propozim vendimi për miratimin e iniciativës për bashkëpunim ndër komunal ndërmjet Komunave përkatëse në fushën e Menaxhimit te mbeturinave, propozim për shqyrtimin dhe miratimin e propozim vendimit për miratimin e marrëveshjes së binjakëzimit mes Komunës së Vitisë dhe Komunës së Kirchhain – Gjermani, propozim vendimi për miratimin e planit komunale për Ri Integrimin e Qëndrueshëm të personave të Riatdhesuar dhe Integrimin e të huajve në komunën e Vitisë, si dhe propozim vendimi për ndryshim plotësim të vendimit nr.01-110/05-108, të datës 01.02.2022, për plotësimin e vendimit nr. 01-110/05-974 të datës 28.12.2021 për formimin e Komitetit për Komunitete. /2LONLINE/