Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), nën udhëheqjen e Shpresa Kurteshit-Eminit, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal draft-rregulloren për përkujdesjen dhe mbrojtjen e fëmijëve, draft- statutin e Qendrës Kulturore Evropiane, propozim-vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore në Zonën “B 4“ në kuadër të PRRU “Kodra e Thatë”, propozim-vendimin për ndryshimin e destinimit të planifikuar në një pjesë të parcelës kadastrale në kuadër të Planit Rregullues Urban “Livadhet e Arapit”, propozim-vendimin paraprak për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronave të paluajtshme komunale, propozim-vendimin për formimin e Komisionit vlerësues të ofertave.
Po ashtu, për Kuvend u rekomandua edhe informata për suksesin në gjysmëvjetorin e parë të vitit shkollor 2020-2021 dhe fillimin e gjysmëvjetorit të dytë si dhe kërkesa e Fakultetit të Studimeve Islame për mbështetjen financiare të projektit për deshifrimin e varrezave të periudhës osmane, të cilin e paraqiti drejtoreshe për Kulturë, Deniza Limani.
Anëtarët e Komitetit kërkuan që të përfshihen edhe periudhat tjera, hebraike dhe romake, por u tha se për këtë duhet projekt tjetër, meqë FSI nuk e ka paraparë këtë dhe ndoshta nuk ka as ekspertë që mund t`i bëjë deshifrimet e periudhave tjera.
Propozim-vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore në Zonën “B 4“ në kuadër të PRRU “Kodra e Thatë” si dhe propozim-vendimi për ndryshimin e destinimit të planifikuar në një pjesë të parcelës kadastrale në kuadër të Planit Rregullues Urban “Livadhet e Arapit”, të cilat i paraqiti drejtori i Urbanizimit, Bekim Bajrami, zgjuan interesim e opozitës (LVV e PDK), të cilat nuk i mbështeti këto ndryshime me arsyetim se janë të paligjshme.
Sa i përket propozim-vendimit paraprak për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronave të paluajtshme komunale, sqarime dhe përgjigje sipas interesimit të anëtarëve të KPF dha Sali Fazliu, drejtor për Gjeodezi dhe Kadastër. /2LONLINE.com/