/2L ONLINE/ – Një pjesë të kostumeve që përdorin aktorët në teatër, sot janë ekspozuar para Zyrës së kryetarit të Komunës së Gjilanit, që me to të luajnë pushtetarët, përkatësisht politika në përgjithësi, krejt kjo si reagim e një pjese të aktorëve protestues, për problemet me të cilat po ballafaqohet teatri, për faj të politikës.
Ashtu siç kishin parajaëruar, në ora 12:00, një pjesë e aktorëve e Ansamblit rezident të Teatrit të Gjilani, kanë protestuar para zyrës së kryetarit të komunës së Gjilanit, në një protestë të qetë, por me një performancë të tyre, duke varur një pjesë të kostumit të aktorëve, në hyrje të selisë së kryetarit të komunës për të përçuar kështu mesazhin, se çështja e teatrit, problemet e shumta, nuk po zgjidhen assesi.
Avni Shkodra, aktor, njëri nga protestuesit, i ka thënë Portalit 2L ONLINE, se vendosja e kostumeve të teatrit, që përdorin aktorët në shfaqjet e tyre, para selisë së kryetarit, është një simbolikë, duan t’ia japin ato komunës, përkatësisht, politikës pa dallim, le të luan ajo teatër, pasi që prej paslufte e këndej, nuk po e zgjidhin çështjen e këtij institucioni.
Shkodra, ka përmendur po ashtu tri problematike që lidhen me çështjen e Teatrit, e që u panë edhe në disa pankarta të vogla që u ngjitën po ashtu para selisë së kryetarit, e që kanë të bëjnë me statusin e pazgjidhur të Teatrit të Gjilanit, e ku sipas Shkodrës politika nuk po ka vullnet dhe nuk po e tregon atë, se është e interesuar ta zgjidhë. Pastaj, ndërhyrjet politike në procesin e zgjedhjes së drejtorit të Teatrit të Gjilanit, që këtu Shkodra i referohet deklaratave publike të një kandidati për drejtor, Erson Zymberi dhe të Adriana Matoshit, njëra nga anëtaret e Këshillit Drejtues të Teatrit të Gjilanit, që kanë folur hapur për këto ndërhyrje.
Po ashtu Shkodra ka potencuar edhe problematikën tjetër atë të vonesave të pagesave ndaj ansamblit rezident të aktorëve, si dhe probleme të tjera që duan zgjidhje e që i kanë shtyrë aktorët në këtë protestë.
Përndryshe, nga 12 aktorë rezidentë të Teatrit të Gjilanit, në protestë merrni pjesë gjashtë prej tyre, Shkodra tha se edhe dy janë në pushime, ndërsa një pjesë nuk iu ka bashkuar protestë, por sipas tij edhe këtu ka gisht politika, trysnia, e këtu përmendi faktin se pikërisht në këtë orë të protestës edhe përgjegjësi për Kulturë ka ftuar takim. Si do që të jetë, Shkodra thotë se shihet se pjea më e madhe e aktorëve janë në protestë dhe se kjo do të jetë një protestë simbolike që do të zgjasë 45 minuta ndërkohë që për hapa të mëtutjeshëm do të njoftohen mediat e publiku me kohë.
Përndryshe, ata që u panë në protestë ishin: Muharrem Sylejmani, Naser Zymberi, Njomza Kalaveshi, Gani Rrahmani, Ernest Zymberi dhe Avni Shkodra, derisa munguan Ramadan Kurti, Mejreme Berisha, Emine Toska dhe Alban Shahiqi, ndërkohë që për Tringa Hasanin e Safete Mustafën u tha nga Shkodra se janë në pushime. /2L ONLINE/