Kryetar i Gjyqësorit të Kosovës, Enver Peci, ka thënë se prania e EULEX-it për disa çështje më sensitive siç janë rastet për krime lufte, është ndoshta e domosdoshme aktualisht në Kosovë. Ai ka thënë për RTK-në se ‘ombrella’ e EULEX-it duhet të vazhdojë edhe për një kohë, por me një bashkëpunim me gjyqtarët vendor, bashkërisht me institucionet e drejtësisë vendore.
Ndërsa, sa i përket korrupsionit, Peci thotë se vendorët kanë disa raste më të lehta.
”Ne i kemi statistikat sa i përket lëndëve të korrupsionit, ne i kemi disa raste, nuk janë raste që qojnë peshë, kemi raste të shpërdorimit të detyrës zyrtare, marrja e ryshfetit, dhe ata të dyshuar, ata të akuzuar që përgjigjen për këto raste nuk janë të nivelit që qojnë peshë në publik. Rastet më të rënda i kanë marrë EULEX-i”, ka thënë Peci.
Kurse, për Gjykatat në Veri, Kryetari i Gjyqësorit të Kosovës ka thënë se është arritur marrëveshja që të jetë një Gjykatë Themelore dhe qëllimi është që prokurorët dhe gjyqtarët të integrohen në kornizën ligjore të Republikës së Kosovës, por kanë mbetur disa çështje sa i përket lokacioneve se ku do të punojnë gjyqtarët e atij regjioni.
I pyetur se a ka pasur raste se a janë frikësuar gjyqtarët të merren me ndonjë rast më të ndejshëm, Peci ka thënë se deri më tani nuk kanë hasur në raste të tilla.