Loja me flamuj në Republikën e Kosovës, njëherë me atë kombëtar e pastaj me atë shtetëror, në stilin “zbrit e ngrit” nuk i bën aspak nder vendit, i cili ka nevojë të forcojë identitetin shtetëror, por duke mos e cenuar asnjëherë dhe në asnjë mënyrë identitetin kombëtar.
Shkruan: Shefki DAKU
Populli shqiptar i Kosovës ka rrugëtuar me shekuj nën flamurin kuq e zi, prandaj nuk guxon ta nëpërkëmbë atë as në rrethanat e reja historike, të cilat, falë sakrificave të gjata të brezave, janë kurorëzuar me liri dhe pavarësi.
Lindja e një shteti të ri, natyrisht se ka nevojë për elemente që e identifikojnë këtë shtet, por duke i ruajtur me shumë kujdes simbolet kombëtare, siç është flamuri.
Shumë popuj në Evropë kanë pasur flamujt e vetë kombëtar në kohën kur shtetet kombëtare, pavarësinë vetëm kanë mundur ta ëndërrojnë. Shembulli më i freskët janë Baskët, të cilët, pas përmbytjes së frankizmit, kërkuan nga qeveria e Spanjës që, përveç përdorimit të lirë të gjuhës amtare , t`iu njihet e drejta edhe e përdorimit të flamurit kombëtar.
Flamuri kombëtar shqiptar, me shqipe të zezë dykrerëshe në mes, daton rreth shekullit XV. Sipas I. O. Evans, në librin e tij“The observetsbookofflags”, shqiponja e ka prejardhjen nga stema e kryetrimit kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i cili luftoi kundër turqve. Zaten, shqiponja dykrerëshe ka qenë simbol i perandorëve të Bizantit.
Në vitin 1912, flamuri kuq e zi u bë simbol kombëtar dhe shtetëror i Republikës së Shqipërisë. Mjerisht, shqiptarët të drejtën për flamur dhe për përdorimin e gjuhës amtare ia dha okupatori italian, natyrisht jo për ndonjë lloj albanofilizmi, por për synimet e veta tinëzare.
Kosova, që nga 17 shkurti 2008 e ka shtetin e vetë, ku krahas simboleve shtetërore, ka edhe flamurin e vetë, të cilin duhet respektuar nga institucionet dhe qytetarët e saj.
Duke e respektuar flamurin e Republikës së Kosovës, nuk guxojmë assesi të harrojmë flamurin kombëtar – flamurin kuq e zi me shqiponjën dy krenare, me të cilën janë të mishëruar shqiptarët anembanë botës.
Konsideroj se në prag të pavarësisë së Kosovës, heqja e flamurit kombëtar, ishte një veprim i ngutshëm, sepse ka pasur zgjidhje tjera, që krahas flamurit kombëtar, të vendosej edhe flamuri i Republikës së Kosovës.
…
(Autori është jurist nga Gjilani)