Kombëtarja e Kosovës e ka kryer stërvitjen e fundit para ndeshjes me Rumaninë, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Evropian, e që zhvillohet sonte prej orës 20:45.
Përzgjedhësi Primozh Gliha në konferencë për media ka deklaruar se Kosova ka udhëtuar me synim për të marrë rezultat pozitiv.
“Pres rezultat pozitiv dhe do të japim gjithçka për të arritur këtë. Luajmë kundër një ekipi që ka shumë lojtarë teknikë, por edhe ne kemi lojtarë të mirë dhe të luajnë në klube të mëdha. Jemi përgatitur mirë dhe ndihemi shumë mirë para kësaj ndeshje. Jam i bindur se do të jetë një lojë e shkëlqyeshme, sepse të dyja ekipet kemi nevojë për pikë”, tha Gliha.
Edhe Mërgim Vojvoda është shprehur optimist për rezultat pozitiv, teksa ka thënë se loja e treguar ndaj Zvicrës dhe rezultati i arritur e kanë ngritur moralin tek ekipi.
I pyetur nga gazetari rumun rreth provokimeve të tifozëve rumun në Prishtinë dhe mundësisë së përsëritjes së provokimeve të tilla në Bukuresht, Vojvoda është përgjigjur: “Mjafton ta shihni këtë logo në zemrën tonë, është flamuri i Kosovës dhe ne e përfaqësojmë këtë shtet dhe askënd tjetër. Ne jemi Kosova. Jemi të lindur nga lufta dhe do të bëhemi më të fortë se guri”.
Ndeshja Rumani-Kosovë zhvillohet sonte (e martë) në orën 20:45. Rumania është në pozitën e dytë në Grupin I, me 9 pikë, derisa Kosova është në kuotën e 4 pikëve. /2LONLINE/