Politikanët e padijshëm dhe të etshëm për me mbajt pushtetin ose për të ardhur në pushtet, nuk zgjedhin forma e as rrugë, nuk analizojnë dhe refuzojnë të këshillohen. Ata gjithmonë i sjellin dëme vendit, dhe vazhdimisht nxjerrin telashe gjatë rrugëtimit në ngritjen e shtetit dhe proceset integruese.
Etja ekstremisht e madhe për të krijua imazhe pozitive krejtësisht individuale kundrejt botës bashkëkohore, Kosovën e ka lënë peng në shumë procese nga përfundimi i luftës, sidomos nga shpallja e saj shtet i pavarur dhe sovran.
Shkruan: Ardian Azemi
Duke qenë se Kosova u sprovua vazhdimisht me udhëheqës të dobët dhe me apetit të madh për pushtet, fuqitë e mëdha nxjerrën në tavolinë lloj-lloj eksperimentimi për shtetin tonë. Të pa provuar në asnjë shtet, Kosova ishte një terren i mirë për ti bërë provat; nëse funksionon, atëherë mund ta aplikojmë edhe në shtete tjera, nëse dështon, prapë mbetemi mirë, sepse politika në Kosovë është e paaftë për të kërkuar llogari ose kundërshtuar, madje edhe për të ofruar opsione.
Çdo njëri prej nesh, e kupton qartë se dy misionet ndërkombëtare në Kosovë, UNMIK-U fillimisht, dhe EULEX-i i cili vazhdon të jetë prezent në vendin tonë, dështuan të përmbushin misionin e tyre, për më keq, koha e tyre karakterizohet me shumë skandale, do me thënë në vend që të krijojnë rend e ligj, ata krijuan veç mjegull dhe për pasoj Kosova sot ka këtë drejtësi çfarë është.
Si rezultat i punës së keqe të këtyre misioneve, por edhe paaftësisë dhe mungesës së vullnetit të vendorëve, Kosova nuk formoi një Gjykatës të sajën, misioni i së cilës do të ishte hetimi për krime lufte, pa dallim kombësie, dhe kësisoj me e pastrua vetën e saj.
Kjo nuk u bë, dhe si rezultat e morëm Gjykatën Speciale, e cila ndjek vetëm shqiptarët, dhe jo edhe serbët, funksioni i së cilës është mbi ligjet e Kosovës, dhe jashtë territorit të saj. Kosovës iu premtua integrimi nëse votohet ligji që i hapë rrugë për veprim kësaj Gjykate, dhe sot e asaj dite Kosova është në prag të fillimit të aktakuzave të para nga kjo Gjykatë, porse asnjë hap përpara nuk e bëri në fushën e integrimeve.
Nëse flasim për thika pas shpine, atëherë thikën e gjejmë në shpinën e Kosovës. Pra, Kosova bëri gabim që kishte votua për Gjykatën Speciale, sepse është e njëanshme dhe e njollos luftën e pastër të UÇK-s.
Nisma për shfuqizimin e ligjit për Specialen, pa e prekë bazën e tij (ligjit) në Kushtetutë, pa ndonjë diskutim të hapur me shtetet e fuqishme, dhe pa ndonjë dokument a projekt zëvendësues për Gjykatën, mendoj se i sjell dëme Kosovës.
Tërheqja e njohjeve, zhbërja e pavarësisë, nëse shfuqizohet Gjykata Speciale, janë muhabete koti, porse lëkundje të raporteve me shtetet e fuqishme mike, do të ketë. Shfuqizimi i Speciales, nuk duhet të kuptohet si tentim për me ik nga drejtësia, sepse Kosova është shembulli më i mirë i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare. Kishim aktakuzë për kryeministrin e Kosovës para shumë vitesh, i cili pati dhënë dorëheqje dhe ka shkua në Tribunalin e Hagës, nga i cili edhe u shpall i pafajshëm nga gjitha akuzat.
Kemi Fatmir Limaj, e shumë ish-komandantë e ushtarë të UÇK-s që i janë përgjigj thirrjes nga drejtësia ndërkombëtare. Pra, Kosova nuk merr iniciativa për të ik nga drejtësia, porse konsideron me të drejtë se Specialja në këtë formë është padrejtësi ndaj një pale duke amnistuar palën tjetër, në këtë rast agresorin.
Sidoqoftë, Kosova duhet të jetë e kujdesshme në çdo veprim që e bënë. Nuk ka punë që nuk bëhet nëse dialogohet dhe ofrohet alternativë, porse duhet paraprakisht unitet politik dhe tejkalim të qëllimeve, apetiteve, e kundërshtive partiake.
Nuk guxojmë t’i gëzohemi disa zhvillimeve që do të ndodhin, sepse nëse mendohet se duke arrestua njerëz të hapet rruga drejt pushtetit, në mënyrë që ti realizosh qëllimet mbi fatkeqësinë e tjetrit, përveç që nuk është njerëzore, i bënë dëme të pariparueshme edhe të ardhmes edhe historisë.