Shkruan: Florim Zeqa
/Në prag të tetvjetorit të njohjes ndërkombëtare të shtetit tonë/
17 shkurti 2016, ndjenjë e përzier e shqiptarëve. Rrallë herë ka ndodhë moti, me u perzi kënga e loti!
Kështu do ta niste këngën rapsodi popullor për 17 shkurtin e 2016-s, ku në njërën anë qeveritarët do të përpiqen në mënyrën e tyre të kremtojnë në mënyrë sa më “madhështore” Pavarësinë e Kosovës pa simbole kombëtare, siq po e quajnë njohjen formale ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Krahas simbolit (antikombëtar) shtetëror, duhet të vendosen edhe flamujt kombëtar të etnitetit shumicë në vend, pra të 93 % të popullatës shqiptare në Kosovë,…për të luftuar tjetërsimin dhe dëshmuar para opinionit ndërkombëtar përkatësinë tonë kombëtare krahas simboleve të shtetit, të instaluara padrejtësisht nga instanca ndërkombëtare, me qëllim të caktuar për dëmtimin e së ardhmës kombëtare të shtetit tonë.
Në anën tjetër, opozita e bashkuar me qindëramijëra qytetar të pakënaqur, të zhgënjyer nga mashtrimet serike të pushtetarëve, nga gjendja e rënduar socio-ekonomike, degradimi i shtetit në të gjitha segmentet,…në vend të festimit do ta shprehin pakënaqësinë dhe mllefin e tyre ndaj keqqeverisjes tetvjeqare, keqmenaxhimit edhe të drejtësisë ndërkombëtare në raport me grupet kriminale dhe korruptive në vendin tonë.
Pra në njërën anë do të kemi këngë e valle nga pushtetarët, ndërsa në tjetrën shprehje mllefi dhe lot hidhërimi të qytetarëve për padrejtësitë dhe prapësitë e shumta në gjysëm shtetin e “pavarur” të Kosovës.
Tetvjetori i njohjes formale të Republikës së Kosovës, qytetarët e vendit i gjenë me ndjenja të përziera, të ndarë si anjëherë më parë gjatë këtyre viteve të pasluftës.
Protesta e paralajmëruar e 17 shkurtit, është akumulim i pakënaqësive të shumta përgjatë këtyre tetë viteve të njohjes ndërkombëtare të shtetit tonë, e në veqanti të këtyre katër viteve të dialogut vrastar për shtetin tonë, me Republikën e Serbisë në Bruksel, përmes të cilit, qeveritarët tanë, me (pa) dashjen e tyre e bënën Serbinë hisetare të shtetit tonë,…duke i pranuar asaj të gjitha kërkesat destruktive ndaj shtetit tëKosovës; e filluan me enklavizimin e Kosovës përmes decentralizimin etnik, për të vazhduar me amnistimin e kriminelëve serb e deri tek krijimi i “Zajednicës”-mini shtetit serb brenda shtetit të Kosovës.
Rreth 17 vjet nga çlirimi i vendit dhe tetë vjet, siq po thuhet nga “pavarësia” e vendit, Kosova jonë e dashur, shumë pak, për të mos thënë hiq, i ngjet një shteti të pavarur.
Një shtet i pavarur nuk e ndanë sovranitetin e vendit të vet me ish pushtuesin e saj, pas një lufte të përgjakshme dhe pas një ndërhyrje të fuqishme të forcës më të madhe ushtarake dhe politike në botë-NATO-s.
Ndarja e sovranitetit me shtetin serb, është pak më tepër se shkelje e gjakut të dëshmorëve. Nuk e besoj që ka mallkim më të madhë për një klasë politike se sa mallkimi i familjeve të dëshmorëve, i nënave dhe baballarëve, vllëzërve dhe motrave, grave të veja dhe fëmijëve jetim, të mbetur nën mëshirën e Zotit dhe lëmoshën e kusarëve politik të të gjitha ngjyrave politike, që e përdorën Kosovën si plaçkë lufte, për t’u pasuruar duke u thirrur në emrin e dëshmorëve dhe martirëve të lirisë.
Mbase të gjithë e dijnë mirë, se “pavarësia” e 17 shkurtit nuk është produkt i kësaj klase politike, por është produkt i një projekti ndërkombëtar (Planit diskriminues për shqiptarët të Martti Ahtisaarit)…pas të cilit, kusarët politik të ditëve të sotme vraponin për marrjen e meritave “historike” të rishpaslljes së pavarësisë, për t’u shndrruar më pas në degraduesit më të mëdhenjë të integritetit dhe sovranitetit të shtetit me bisedimet e pabarabarta me palen serbe në Bruksel,…duke u shndrruar në rrënuesit e vlerave kombëtare, në mohuesit më të mëdhenjë të ngjarjeve historike që janë bazament dhe gurthemel i pavarësisë së shtetit tonë, si; 2 Korriku i vitit 1990 i Deklaratës Kushtetuese që shpalli Kosovën Republikë të barabartë me republikat e tjera në ish federatën jugosllave, pastaj Referendumi ghithëpopullor për shpalljen e Republikës së Kosovës shtet sovran dhe të pavarur, të mbajtur në tërë territorin e vendit prej datës 26 deri me 30 shtator 1991. Njiherit ky referendum ishte shprehja plebishitare e popullates shqiptare dhe vulosja më e fuqishme politike dhe juridike pas miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990 në Kaçanikun legjendar.
Në anën tjetër, në Diasporën shqiptare, gjithë andej vendeve europërëndimore janë paralajmëruar manifestime të shumta kulturore në wikendin e parë në vigjilje të 17 shkurtit dhe tjetrin pas tij.
Mërgimtarët, të prirur nga dashuria dhe respekti ndaj shtetit për të cilin investuan me dashuri për vite dhe dekada,…sikurse edhe më parë në festat tjera kombëtare, do të kremtojnë të bashkuar dhe në mënyrë dinjitoze tetvjetorin e njohjes formale të shtetit të dytë shqiptar në Ballkan,…mirëpo kësaj radhe edhe mërgimtarët janë me shpirt të thyer dhe zemër të plagosur shkaku i gjendjes kaotike në vend, shkaku i degradimit të shtetit dhe vlerave tona kombëtare nga kjo klasë e shëmtuar politike,…që me veprimet e tyre të papërgjegjshme , përveq që i ulën imazhin vendit, e sollën shtetin buzë greminës dhe dështimit fatal.
Me bindje dhe përgjegjësi e themë këtë, ngase me bisedimet e fundit në Bruksel u shkel drejtëpërdrejt Kushtetuta e Republikës së Kosovës, u shkel pavarësia ligjore, juridike dhe integriteti territorial i shtetit të Kosovës.
Vallë a negociohet pavarësia e vendit me barbarët serb, që na i mbushen tokat me varre, që vranë me dhjetëramijëra shqiptar të pafajshëm, që dëbuan mbi 1 milion shqiptar nga trojet e tyre stërgjyshore dhe dogjën pamëshirshëm shtëpitë dhe vodhën pasuritë tona, dhunuan dhjetëramijëra motra e nëna tona shqiptare, i zhdukën pa asnjë gjurmë me mijëra shqiptar (reth 1700 të pagjetur),…vallë çfarë faji ka Kosova që duhet të paguaj një çmim kaq të lartë për lirinë e saj ?!
Ndërmjetsuesve aktual të këtyre bisedimeve, diplomatëve italian; Gentilini dhe Mogherini do ua bëja vetëm një pyetje; me çfarë çmimi do të negocionit ju pavarësin e vendit tuaj me ish pushtuesit e shtetit tuaj ?
Me siguri përgjigja e tyre do të jetë; me asnjë lloj çmimi !
Po ndodh pikërisht këshktu sepse negociatorët e Kosovës në bisedimet e Brukselit janë njerëz pakurrizor, pa ndjenja njerëzore dhe kombëtare, të cilët nuk kanë dhënë asgjë nga vetja e tyre për lirinë e shtetit,…janë përfitues të etapave të ndryshme historike; të levizjes paqësore, të luftës dhe pasluftës në Kosovë,…sikur të ishin ndryshe me kaq lehtësi dhe pa asnjë kusht nuk do të uleshin në një tavolinë me xhelatët e popullit shqiptar dhe varrëmihësit e shtetit të tyre.
Në fund, për të gjithë ata që dëshirojnë të kremtojnë në mënyrë dinjitoze pavarësinë e Republikës së Kosovës, po i shkëpus disa vargje nga kënga “Mos të harrojm se jem shqiptar”, të rapsodit popullor Rifat Berisha;
Dy-tri fjalë për ju shqiptar, ju dardan e kosovar,
kush e nin veten shqiptar,
gjak shqiptari që ka n’damar,
mos t’ndrrojmë komb e flamur,
shqiptar jem, shqiptar qofshim përgjithmonë.