Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në ceremoninë e pranim – dorëzimit të 55 automjeteve të blinduara ushtarake (ASV), donacion ky i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Në ceremoninë që u organizua nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, folën Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti i shprehu mirënjohjen dhe falënderimet më të sinqerta Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyeshme për zhvillimin e sistemit të mbrojtjes së vendit tonë.
“Në rrugën e rritës dhe zhvillimit të ushtrisë sonë, rol jashtëzakonisht të rëndësishëm është duke luajtur partneri ynë i pazëvendësueshëm strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha kryeministri Kurti, dhe theksoi se ShBA së bashku me shtetet e tjera partnere vazhdojnë të jenë kontribues aktiv në çdo fazë të zhvillimit dhe modernizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Mbështetja me automjetet e blinduara nga ShBA për Forcën e Sigurisë së Kosovës, sipas kryeministrit, është vetëm njëra nga shumë fusha, ku Shtetet e Bashkuara po kontribuojnë ndjeshëm për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit tonë.