Qytetarët e Kosovës sot do t’u drejtohen kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre.
Të drejtën e votës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare e kanë 1 milion e 872 mijë e 941 qytetarë, të cilët votën e tyre mund ta hedhin në 889 qendra të votimit, me gjithsej 2 490 vendvotime, të cilat do të hapen në orën 7:00. Për organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij procesi zgjedhor tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës, raporton “Epoka e re”.
Në ditën e zgjedhjeve në terren do të jenë rreth 100 prokurorë, së bashku me staf mbështetës, të cilët do të operojnë dhe kooperojnë në 38 Komuna të Republikës së Kosovës, bashkë me hetuesit e Policisë së Kosovës.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do t’i monitorojnë 29 264 vëzhgues. 160 vëzhgues nga tetë ambasada, 301 vëzhgues nga 7 organizata ndërkombëtare, 8 830 vëzhgues nga OJQ-të vendore, 3 657 vëzhgues nga partitë politike pjesëmarrëse në këto zgjedhje, 15 784 vëzhgues nga koalicionet pjesëmarrëse në këto zgjedhje, 27 vëzhgues nga institucionet ndërkombëtare (Trupa të menaxhimit të zgjedhjeve nga vende të ndryshme të botës), 1 vëzhgues nga 1 institucion vendor, 468 vëzhgues të akredituar që përfaqësojnë media vendore dhe 36 vëzhgues të akredituar që përfaqësojnë media ndërkombëtare.
Për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës, marrin pjesë gjithsej 26 subjekte politike, prej tyre 5 koalicione; 19 parti politike si dhe 2 nisma qytetare. Ndërsa në garë për deputetë janë 971 kandidatë.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, u ka bërë thirrje, sidomos partive politike, që t’i respektojnë rregullat dhe Ligjin për zgjedhjet dhe në asnjë formë të mos përpiqen të manipulojnë me votat.
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, pasuan votimin në Kuvend të një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë më 10 maj. Të njëjtën ditë, Presidenti i Kosovës pati shpërndarë Kuvendin, kurse një ditë më vonë pati shpallur 11 qershorin, datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.
Për formimin e Qeverisë, Kushtetuta parasheh minimumin prej 61 votave në Kuvend.
BURIMI: Epola e Re