IKShPK është duke monitoruar nga afër epideminë e sëmundjes respiratore të shkaktuar nga një koronavirus i ri i identifikuar për herë të parë në Wuhan, Provinca Hubei, Kinë.
Duke u bazuar në situatën aktuale epidemiologjike, informatat nga terreni, përgaditjet e institucioneve shëndetësore për tu përballur me rastet eventuale të koronavirus, mungesa e linjave ajrore direkte me Kinën, rreziku për depërtimin eventual të virusit në Kosovë vazhdon të mbetet i ulët.
IKShPK/ Departamenti i Epidemiologjisë po bënë mbikëqyrjen aktive dhe gjurmimin e rasteve.
Sot u mbajt mbledhja e dytë e Komitetit për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse ku u konstatua se janë përforcuar masat për monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së koronavirusit të ri. Është ngritur shkëmbimi i informatave ndërinstitucionale mes Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar, SHSKUK, AUV, QKMF-ve, Policisë së Kosovës, FSK, MASHT.
Instituti Kombëtar ka rekomanduar të gjitha Institucionet shëndetësore, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Policinë e Kosovës, AUV dhe punëtorët shëndetësor që të ngrisin nivelin e vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.
Çdo rast i dyshimtë i sëmundjes duhet të raportohet nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe institucionet tjera shëndetësore publike dhe private, brenda 24 orëve (në kohë reale, sa më parë që është e mundshme me mjetin e komunikimit më të shpejtë) në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike dhe drejtëpërsëdrejti në IKShPK.
Të gjitha institucionet shëndetësore të vazhdojnë të zbatojnë gatishmërinë e tyre për emergjencat shëndetësore, në përputhje me Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit (2005), rekomandimet e OBSH dhe ECDC.
Instituti Kombëtar do të informojë rregullisht Institucionet shëndetësore, Ministrinë e Shëndetësisë, Agjensionin e Emergjencave dhe OBSh-në për ecurinë epidemiologjike të Novel Coronavirus (2019-nCoV) në Republikën e Kosovës.