Në një intervistë për RTS, kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq ka paralajmëruar ashpërsim bisedimesh me Brukselin për anëtarësim të vendit të tij në Bashkimin Evropian. Ky ashpërsim, sipas tij ka të bëjë në radhë të parë me Kosovën dhe qasjen që Serbia ka ndaj saj.
Daçiq edhe pse e di se Serbinë gjatë muajve të ardhshëm e presin dhjetë kushtet e Gjermanisë për Kosovën, thotë se Serbia do të veprojë ashtu që në dhjetor Gjermania të mos thotë “jo”. Në këtë fazë, thotë ai, kushtet gjermane do të pranohen nëse ata nuk ndikojnë në thelbin e shtetësisë së Serbisë dhe nëse nuk dëmtojnë interesat shtetërore të Serbisë
Në pyetjen nëse është e pranueshme që në kornizën negociuese të futet kushti që Beogradi me Prishtinën të nënshkruajë Marrëveshjen për fqinjësi të mirë, Daçiq është përgjigjur:
“Për fat të keq ne po pyesim për kornizën negociuese, por ky dokument tashmë po miratohet nga Këshilli për Punë të Përgjithshme të BE-së. Në projekt- kornizë, kapitulli 35 ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve tona me Prishtinën, por ka edhe ide që po thuaj në secilën kapitull të përmendet kjo çështje. Vende të tjera në BE e kundërshtojnë këtë. Shpresoj se do të gjendet kompromisi dhe në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm të fillojnë negociatat”.
Daçiq në vazhdim të bisedës ka fajësuar Kosovës se po pengon zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, ndërsa është shprehur kundër bojkotit të zgjedhjeve në Kosovë nga serbët.
Edhe pse nuk e di se kur do të mbahet takimi ia ardhshëm i tij me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, Daçiq për këtë takim ka paralajmëruar tema, siç ka thënë ai, të rëndësishme e që sipas tij janë: janë pasuria e qytetarëve dhe e firmave serbe në Kosovë dhe pozita e Kishës Ortodokse serbe.