Asambleja Gjenerale e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare sot në Heraklion të Greqisë, ka shpallur Kosovën shtet mikpritës të LM2030.
Vendimi i sotëm rikthen organizimin e lojërave në Ballkan pas 51 vitesh, prej kur LM u organizuan në vitin 1979 në Split të Kroacisë, njofton Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Programi sportiv përmban rreth 24 sporte, me pjesëmarrjen e mbi 3300 sportistëve dhe shënon bashkëpunimin e parë mes 2 shteteve në organizim, Kosovës dhe Shqipërisë. Ngjarja ndërkombëtare multi-sportive do të ketë shtrirje në gjithë territorin e shtetit me fokus në 7 komunat kryesore si dhe në bregdetin shqiptar, në Durrës.
Përmes LM2030, konsolidohet imazhi shtetëror në arenën ndërkombëtare, përforcohet përkatësia dhe identiteti shtetëror si dhe do të investohet në infrastrukturë fizike të modernizuar.
Krahas përfitimeve direkte financiare që do të vijnë me organizimin e Lojërave Mesdhetare, do të ketë edhe përfitime jodirekte por afatgjate, si promovimi i shtetit dhe zhvillimi i turizmit sportiv, njofton Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. /2LONLINE/