Aktualisht në Kosovë nuk ka të dhëna zyrtare e të sakta se sa është numri i përdoruesve të llojeve të ndryshme të drogave. Megjithatë, llogaritet se në vend janë deri në 20 mijë vartës droge.
Ndërkohë, Kosova ende nuk ka program gjithëpërfshirës të trajtimit me metadon, drogën zëvendësuese që përdoret kudo në botë për largimin e njerëzve nga heroina.
Pretendohet se shifra e përdoruesve të drogës mund të jetë edhe më e madhe, aq më tepër kur gjatë çdo viti është rritur edhe sasia e konfiskimit të këtyre substancave narkotike nga ana e policisë. Nga viti 2000 kur autoritetet kanë filluar të evidentojnë të dhëna në lidhje me këtë çështje, del se sasia e drogave që kapet në Kosovë vazhdimisht shënon rritje, shkruan Tribuna.
Derisa në vitin 2001 janë sekuestruar vetëm 0.8 kg heroinë, në vitin 2007 kjo shifër u rrit në 6.9 kg, ndërsa në vitin 2010 kjo sasi ka arritur shifrën e 55 kg. Heroina është një nga llojet e nivelit më të lartë të drogës, një gram e së cilës kushton deri qindra euro.