NGA: Ardian AZEMI
Sa herë që janë arrestuar, ndaluar apo edhe veç përmendur kriminelët serbë që jetojnë në Kosovë qoftë në veri por edhe në komunat tjera ku jetojnë serbët, brenda gjysmë ore ka marrë vesh edhe OKB-ja e secili mekanizëm i rëndësishëm ndërkombëtar. Mos të flasim për reagimet nga Beogradi.
Mirëpo, kështu nuk ndodh kur bastisen, malltretohen, fyhen, ndalohen pa asnjë arsye shqiptarët në Luginë.
Lajmi për shqiptarët e Luginës arrin me shpejtësi maksimum deri në Gjilan, si komuna më e afërt me Luginën.
Pa asnjë arsye, forca të shumta të xhandarmërisë serbe bastisin dhe demolojnë shtëpitë e ish-pjesëtarit të UÇPMB-së, Nadir Sefedini. Kosova hesht, sepse ka frikë se po i prishë terezitë në dialogun me Serbinë. Marre!
Për këtë gjah që Serbia vazhdon ndaj shqiptarëve të Luginës edhe pas 23 viteve nga lufta, duhet të reagoj edhe bota, përveç Prishtinës dhe Tiranës.
Kjo përpjekje e Serbisë për me mbjellë frikë dhe me i shfrytëzu shqiptarët e Luginës sa herë që me Kosovën dialogon dhe ka në plan projekte të caktuara në dialog, duhet të ndalet njëherë e mirë.
Shqiptarët në Luginë vetëm sa gjysma e serbëve në Kosovë t’i kishin të drejtat, fort i bindur jam se do të ishin të kënaqur. Pakica serbe në Kosovë jeton shumëfish më mirë se shumica, madje shumëfish më shumë gëzon të drejta, përderisa pakica shqiptare në Serbi është e shtypur, diskriminuar, e frikësuar dhe e bastisur sa herë që shteti kriminal atje dëshiron. Ky gjah duhet të ndalet tani! /2LONLINE/