Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga takoi sot një grup të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga Petar Miletiq, nënkryetar i Kuvendit.
Presidentja e Kosovës i mori në konsideratë çështjet që i parashtruan deputetët për të drejtat e liritë e komuniteteve etnike në Kosovë, të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Presidentja Jahjaga i siguroi deputetët se do të vazhdojë të jetë garantuese e fuqishme e karakterit qytetar të Republikës së Kosovës, mbështetëse e promovuese e vlerave të ngërthyera në Kushtetutën e vendit, e respektimit të plotë të kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë dhe e realizimit të plotë të të drejtave individuale dhe kolektive të të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë etnike, fetare dhe pavarësisht numrit të tyre.
Republika e Kosovës është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe vetëm së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme prosperuese për të gjithë.
Presidentja Jahjaga iu tha deputetëve se do të vazhdojë të përfaqësojë unitetin politik, në bashkëveprim të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe i inkurajoi ata që të vazhdojnë konsultimet dhe të harmonizojnë qëndrimet me grupet parlamentare për të arritur zgjidhje të pranueshme, që avancojnë proceset demokratike dhe përparojnë të drejtat e komuniteteve.