Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Republikës së Kosovës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Republikës së Shqipërisë nënshkruan sot në Tiranë Marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë publike dhe të shkencave mjekësore të cilat janë me interes të përbashkët.
Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, prof. dr. Naser Ramadani dhe Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik të Shqipërisë, prof. dr. Arjan Bregu.
Sipas Marrëveshjes së nënshkruar, të dy institutet respektive do të bashkëpunojnë në fushat me prioritet si: hartimi dhe miratimi i një liste të njëjtë indikatorësh shëndetësorë që do të mundësojnë monitorimin dhe vlerësimin e gjendjes shëndetësore të popullatës si dhe performancës së sistemit shëndetësor në Shqipëri dhe në Kosovë; harmonizimin e strategjive dhe përcjellja e ecurisë së sëmundjeve ngjitëse dhe jo-ngjitëse; hartimi i raporteve shëndetësore të përbashkëta; publikimet periodike të buletineve të përbashkëta; ndërmarrja e studimeve shkencore të përbashkëta me metodologji të unifikuar; realizimi i konferencave shëndetësore të përbashkëta; ngritja e grupeve të punës të përbashkëta për hartimin e regjistrave të sëmundjeve, etj.
Gjithashtu, Marrëveshja parashikon bashkëpunimin edhe në këmbimin e informacioneve në fushën e Shëndetësisë Publike; këmbimin e stafit mjekësor; kontaktet ndërmjet dy institucioneve në lidhje me pikat dhe problemet e interesit të përbashkët dhe forma të tjera të përbashkëta që janë arritur në marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e Shëndetësisë Publike dhe shkencave mjekësore…
Institutet, do të koordinojnë aktivitetet e tyre në bazë të legjislacioneve të përkatëse, udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe organizatave të tjera , të cilat bashkëpunojnë në fushën e Shëndetësisë Publike