Nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës vitin shkollor 2015-2016 do ta fillojnë me tekste shqip që do të dërgohen nga Republika e Kosovës. Për këtë gjë janë zotuar drejtuesit e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).
Pesë mijë tekste shkollore në gjuhën shqipe, të dërguara nga Kosova ende po mbahen të konfiskuara nga Policia e Serbisë tash e disa vjet, shkruan Epoka e Re.
Këshilltari ministrit Arsim Bajrami, Aem Guri ka thënë se MASHT-i e ka proceduar kërkesën për tekstet shkollore të Luginës së Preshevës. Ndërkohë, mungesa e teksteve shkollore dhe moslejimi i përdorimit i teksteve nga Kosova paraqesin problem serioz për nxënësit e të gjitha niveleve në Luginë të Preshevës.
Guri ka bërë me dije se kërkesat kanë qenë për tekstet bazike si Abetarja dhe Libri i leximit.
“Sipas planit dinamik të MASHT-it, konsiderojmë se viti shkollor 2015-2016 Luginën e Preshevës do ta gjejë me tekste. Nuk mund të flas me shifra se sa ka qenë kërkesa, por ne do ta përmbushim këtë kërkesë”, ka thënë Guri.