Ministri i Punëve të Brendshme, z. Ekrem Mustafa priti në takim ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë, z. Oliver Spasovski. Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin në mes dy vendeve sa i përket sigurisë së dy vendeve.
Gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet dy institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe veçanërisht u diskutua për Protokollin ndërmjet dy vendeve për kryerje të kontrollit kufitar në trafikun hekurudhor (Hani i Elezit/Bllacë).
Në kuadër të këtij takimi Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë, nënshkruan marrëveshjen për njohjen reciproke të patentë- shoferëve.
Kjo marrëveshje u nënshkrua nga ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, z. Ekrem Mustafa dhe homologu i tij nga Republika e Maqedonisë, z. Oliver Spasovski.
Në këtë ceremoni, gjithashtu u nënshkrua Memorandumi për forcimin e bashkëpunimit në fushën e kontrollit të brendshëm.
Me këtë rast, ministri Ekrem Mustafa theksoi se ky bashkëpunim duhet të shihet jo vetëm në të mirën e dy shteteve por edhe të sigurisë së përgjithshme të gjithë rajonit.
“Ka disa segmente ku ministritë tona të brendshme mund të bëjnë më shumë për qytetarët tanë, pikërisht me anë të marrëveshjeve dhe memorandumeve, si ato që i nënshkruam sot”, tha ministri Mustafa.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Maqedonisë, z. Oliver Spasovski tha se ky është një akt shumë i rëndësishëm, nga i cili dobi më të madhe do të kenë qytetarët e dy shteteve.
“Ky proces ka filluar shumë kohë përpara dhe do të vazhdojë me kapitull të ri. Është një akt që do t’iu sjellë lehtësira më të mëdha qytetarëve e të dy shteteve. Gjatë realizimit të kësaj të drejte besojmë që ky hap do të përmirësojë bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve tona”, tha z. Spasovski.