Korrupsioni e krimi i organizuar sfidojnë të ardhmen e Kosovës

Kur e kemi filluar punën me Këshillin Kundër Korrupsion, synim parësor kemi pasur koordinimin dhe komunikimin e rregullt, në mënyrë që të rritet efikasiteti i të gjitha institucioneve për luftën kundër korrupsionit. Pothuaj afër dy vjet pas krijimit të Këshillit, me gjithë suksesin e vendosjes së komunikimit ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile e mekanizmave për luftimin e korrupsionit, ne ende sfidohemi nga kjo dukuri e rëndë në shoqërinë tonë dhe po e rrezikojmë të ardhmen tonë. Kështu u shpreh presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në mbledhjen e gjashtë të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit.

Lufta kundër korrupsionit është beteja jonë më e rëndësishme që do ta kthejë besimin e qytetarëve në institucionet tona, që do të ndihmojë në funksionimin demokratik të institucioneve dhe të të gjithë shoqërisë dhe që do të hap perspektivën e zhvillimit të vendit tonë.

Kemi afër dy vjet që takohemi dhe gjithashtu dy vjet që po kërkojmë mënyrat e bashkëpunimit që do të çojnë drejt arritjes së rezultateve konkrete, tha ajo.

Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit ka treguar se ka hapësirë për bashkëpunim.  

Kjo fazë e konsolidimit legjislativ dhe institucional duhet të shkojë paralelisht me lidership në secilin institucion që thirret ta luftojë korrupsionin. Ne në këtë Këshill kemi vendosur vizionin e një Kosove pa korrupsion.  

 Puna e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit ka reflektuar pozitivisht brenda Kosovës, por edhe në sytë e miqve ndërkombëtarë. Ashtu siç u dakorduam në mbledhjen përmbyllëse të vitit të kaluar, unë kam formuar një grup punues nga përfaqësuesit e institucioneve tuaja. Ky grup është takuar dy herë dhe në këto takime është theksuar dhe evidentuar domosdoshmëria e harmonizimit të qasjes ndaj këtij fenomeni.

Këto janë sukseset e para, por ato nuk janë të mjaftueshme.

Korrupsioni si fenomen duhet të luftohet nga të gjithë ne, ka thënë presidentja Jahjaga. Përmirësimi i imazhit të Kosovës ndihmon në ecjen tonë përpara. Se vetëm kështu ne mund garantojmë progres ekonomik dhe mirëqenie sociale. Investitorët e huaj janë të interesuar të punojnë në një shoqëri funksionale ku investimet e tyre mbrohen nga institucionet dhe klima biznesore është e sigurt.

Ne e kemi përmirësuar legjislacionin dhe punën e administratës, por ka ende për t’u bërë. Janë disa ligje specifike, të cilat duhet të amendamentohen në bazë të standardeve të Bashkimit Evropian. Gjithashtu duhet të rrisim efikasitetin tonë në implementimin e ligjeve ekzistuese. Vullneti politik ekziston por është përgjegjësi e të gjithëve që këtë vullnet ta kthejmë në rezultate konkrete.

Pasi foli për disa nga sukseset në luftimin e korrupsionit, presidentja shtoi se Policia e Kosovës po bën përpjekje të shtuara në ngritjen e kapaciteteve për specializim në ndjekjen e veprave të korrupsionit, që do të tregojë rezultate pozitive në mbledhjen e informacioneve dhe profesionalizëm në ndërtimin e rasteve.

Këshilli Prokurorial i Kosovës po ashtu ka ndërmarrë disa hapa me të cilat kanë fuqizuar rolin e Prokurorive në ndjekjen e veprave korruptive. Kapacitetet e brendshme të Prokurorisë duhet të shtohen dhe të ruhet standardi i integritetit të lartë të Prokurorëve të rinj.

 Edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka bërë prioritet të punës shqyrtimin e rasteve te korrupsionit. Duhet të vazhdohet me planifikimin më të mirë të shpërndarjes së rasteve në Gjykata në mënyrë që të zvogëlohet numri i lëndëve ekzistuese duke rritur njëkohësisht efikasitetin e Gjyqtarëve në të gjitha nivelet, dhe duke përmbyllur më shumë lëndë të rasteve të korrupsionit brenda vitit.

Krahas sukseseve dhe evidentimit të sfidave ne duhet të nisim ndërtimin e politikave konkrete. Ajo theksoi nevojën e domosdoshme të reformave sistemore dhe strukturore duke iu përafruar sa më shumë standardeve të Bashkimit Evropian dhe gjithashtu duke inkorporuar specifikat tona me zgjidhje të veçanta dhe të përkohshme që të jemi më efikas në çrrënjosjen e korrupsionit. Po ashtu tha se duhet të rritet efektiviteti  i ndjekjes së veprave korruptive prej paraqitjes deri në procedim final, duke i përmbyllur rastet dhe duke marrë vendime adekuate. Nuk do të lejojmë që qytetarët të cilët denoncojnë rastet e korrupsionit të dëshpërohen nga sistemi i ndjekjes dhe i gjykimit për shkak të zvarritjeve procedurale.

Sipas saj, ngritja e kapaciteteve është e domosdoshme duke rritur efektivitetin e Agjencisë Qendrore të Prokurimit, Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit, që ushtrojnë  funksionet e veta të parapara me ligj.

Është shumë e rëndësishme që të përshpejtojmë punën me rekomandimet që dalin në përmbushjen e prioriteteve afatmesme nga Studimi i Fizibilitetit të Komisionit Evropian për Kosovën.

Qytetari ynë na do të përgjegjshëm dhe të pastër, me llogaridhënie që punojmë me përkushtim për të ardhmen më të mirë të vendit.

Korrupsioni i kalon kufijtë vendorë dhe bëhet transnacional, e kjo ndër të tjera parandalohet përmes deklarimit të pasurisë, kontrollit të prejardhjes së pasurisë, kryerjes së pagesave përmes transaksioneve bankare si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare të fushës së drejtësisë dhe sigurisë, tha në vazhdim presidentja Jahjaga.

Formë e egër e dukurisë së korrupsionit është edhe evazioni fiskal përkatësisht largimi i parave jashtë vendit që ndërlidhet me aktivitetet ilegale në këtë fushë.

 Duke përfunduar fjalën, Jahjaga shtoi se puna e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit po reflekton për të mirë në punën e të gjithë neve.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, duke marrë pjesë në takimin e gjashtë të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, rikujtoi   se tashmë është hartuar (amandamentuar) ‘pakoja e ligjeve kundër  korrupsionit’, përkatësisht Projektligjin për Plotësim Ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-050 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë personat zyrtarë dhe Projektligjin për Plotësim Ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-051 për Parandalimin e Konflikti të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik. Këto projektligje tanimë janë miratuar në Qeveri dhe janë proceduar në Kuvend  dhe besoj që edhe Kuvendi shumë shpejt do të  procedojë me miratimin e këtyre ligjeve.

“Padyshim që këto ndryshime kanë përmbushur kërkesat që kanë dalë nga konsultimet e gjata dhe shumë substanciale me Agjencinë Kundër Korrupsion, institucionet dhe organizatat e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në Kosovë, tha ministri i Drejtësisë Kuçi. Sipas tij një çështje tjetër me rëndësi të veçantë në procesin e luftimi të korrupsionit është edhe iniciativa për ‘Themelimin e zyrës kombëtare për koordinimin e punës së institucioneve në luftimin e krimeve ekonomike’. Ne besojmë që me funksionalizimin e kësaj zyre do të rritet efikasiteti i institucioneve të kyçura në luftën kundër krimeve ekonomike dhe do të minimalizohen mundësitë e keqpërdorimeve të aseteve të konfiskuara apo sekuestruara, tha ai./koha.net/

KOMENTE