(2LONLINE) – Për hir të informimit të drejtë të opinionit publik dhe përgjithësi qytetarëve të komunës së Vitisë, pas shkrimit të z.Samet Idrizi me titull “Kryetar uji kontrollohet, kontrata ekziston”, i bëjmë me dije artikullshkruesit dhe lexuesve se kontrata e nënshkruar mes komunës së Vitisë dhe Qendrës Rajonale të shëndetit publik në Gjilan, ka të bëjë me analizat e ujit në gjithë territorin e komunës së Vitisë, e jo vetëm për qytetin e Vitisë. Vendimi mes këtyre institucioneve, është marrë në bazë të udhëzimit Administrativ “për cilësinë e ujit për konsum human” të Republikës së Kosovës.
Në pikën 4.4 të kësaj kontrate, precizohet se : Në fshatrat në të cilat furnizimi me ujë bëhet nga puset, do të merren dy mostra: një mostër në shkollë dhe një mostër në shtëpinë e shëndetit. Në fshatrat qé furnizohen nga sistemi i pavarur për furnizim me ujë mostrat do të merren në përputhshmëri me IA.
Në këtë shkrim që është botuar në portale të lajmeve, Samet Idrizi këshilltar komunal i Kuvendit të Vitisë dhe punëtor i kompanisë Hidromorava, shpreh habinë me veprimin e kryetarit të komunës Sokol Haliti, pasi që uji i pijes në fabrikën e ujit në Letnicë është i kontrolluar. Por në fakt kjo edhe kërkohet me ligj që në një fabrikë të përpunimit të ujit siç është ajo në Letnicë medoemos duhet qenë nën kontroll. Mirëpo kontrata e nënshkruar për kontrollin e ujit me Qendrën Rajonale të shëndetit publik ka të bëjë me pjesën dërmuese të fshatrave të komunës së Vitisë, shkollave, ambulantave dhe në përgjithësi banorëve që furnizohen qoftë nga ujësjellësi apo puset.
Andaj kontraktimi për kontrollin e ujit është nevojë urgjente në mënyrë që të parandalohen rreziqet që mund të vijnë nga uji i ndotur. Ndërsa i bëjmë me dije të gjithë qytetarëve se jemi të angazhuar si Institucione komunale që ti sigurojmë qytetarëve të komunës sonë, përpos mirëqenie më të mirë, po ashtu edhe siguri në aspektin shëndetësor, ngase është e vërtet se kemi marrë besimin dhe përgjegjshmërinë nga votat e qytetarëve dhe ndjejmë obligim që ata të ndjehen të sigurt edhe në ujin që përdorin.
Marrëveshjet dhe kontratat si kjo për kontrollin e ujit në komunën e Vitisë, janë bërë në mënyra ligjore dhe duke u bazuar në gjendjen faktike që mbretëron nëpër lokalitetet e komunës sonë. E kuptojmë shqetësimin tuaj z.Idrizi edhe në cilësinë e këshilltarit të opozitës, andaj edhe ju mirëkuptojmë, por ju sigurojmë se kontrata për kontrollim të ujit është në të mirë të gjithë qytetarëve të komunës së Vitisë. /2lonline/
Viti,25 shkurt 2014 Zyra për Informim Publik e komunës së Vitisë