Pas sukseseve të treguara gjatë operacionit të kërkim shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi, Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës u kthye sot në Kosovë, duke përmbyllur me sukses edhe një mision fisnik në shpëtimin e jetëve nga tragjedia në Turqi.
Ekipet e Kërkim Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjatë operacionit të kërkim shpëtimit treguan profesionalizëm, përkushtim dhe përfomancë të lartë që rezultoi me shpëtimin e katër jetëve të qytetarëve të Republikës së Turqisë, njofton Forca e Sigurisë së Kosovës.
Për t’i përgëzuar për kontributin, angazhimin dhe suksesin e treguar gjatë këtij operacioni, në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, sot kanë dalë Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Ministri i Mbrojtjes, z. Armend Mehaj së bashku me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, komandanti i Gardës Kombëtare gjeneral brigade Naim Haziri, Ambasadori i Turqisë në Kosovë, oficerë të FSK-së, dhe kontingjentit nga Turqia që shërbejnë në Kosovë si dhe familjar të pjesëtarëve.
Me këtë rast Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës pjesëtarët që u kthyen nga Turqia i shpërbleu më Mirënjohje me motivacion “ Shpëtoj Jetë”.
Me një fjalë rasti Kryeministri i Kosovës z. Albin Kurti i përshëndeti dhe i falënderoj pjesëtarët për angazhimin vetëmohues gjatë këtyre dy javëve në Turqi dhe ndër tjera shtoi “është obligim i yni humanitarë për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe është detyrë e jona të mbështesim partnerët tanë kur ata kanë nevojë për ndihmën tonë, ndihma jonë dhënë Turqisë në këtë kohë të vështirë veç se ka ngritur në një nivel edhe më të lartë marrëdhëniet tona me Republikën e Turqisë”, njofton Forca e Sigurisë së Kosovës.
Ndërsa Komandanti i FSK-së, gjeneral Jashari takoi nga afër pjesëtarët e FSK-së me ç ‘rast i falënderoi dhe shtoi se ndjehet krenarë për angazhimin dhe kontributin e djemve dhe vajzave të FSK-së, që dhanë gjithçka nga vetja e tyre për të shpëtuar jetë gjatë operacionit të shpëtimit në Turqi.
Pas vendimit të marrë nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës dhe në koordinim me autoritetet e Republikës së Turqisë, Kontingjenti i FSK-së, u dislokua po atë ditë në zonat e prekura nga tërmeti, duke ofruar kapacitetet profesionale të njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës (Kërkim Shpëtim Urban, K9, Mjekësi Emergjente) për të ndihmuar Republikën e Turqisë që të përballojnë sa më lehtë këtë tragjedi, njofton Forca e Sigurisë së Kosovës. /2LONLINE/