(2L ONLINE) – Po vazhdon Konstituimi i këshillave të fshatrave në Komunën e Gjilanit. Mbrëmë u konstituua edhe Këshilli i fshatit në Cërnicë, ku me anë të procesit të votimit, kryetar u zgjodh Fatlum Mehmeti.
Kryesuesi i Komisionit komunal Avdyl Aliu tha se fati e deshi që zgjedhjet në Cërnicë të mbahen në ditën e seancës së Kuvendit të Kosovëss dhe se këto zgjedhje si në këtë fshat do të mund të ishin një yrrnek i mirë për Kuvendin e Kosovës se si do të duhej të bëhej konstituimi i organeve.
Konstituimi i këtij Këshilli është bërë për të përmbushur nevojat dhe kërkesat e banorëve të Cërnicës dhe Vrapqiçit, derisa tubimi dhe procesi i votimit ka rrjedhur në mënyrë të kënaqshme dhe pa asnjë pakënaqësi të vetme.
Ndryshe, në ditët në vazhdim do të mbahen këso tubime edhe në Përlepnicë me datën 24 shtator, në Doberçan me 25 shtator dhe në Velekincë me 1 tetor 2014.
Me Konstituimin e Këshillit në Velekincë përmbyllet dhjetëshja e parë e pilot-projektit të Komunës së Gjilanit, i cili ndihmohet nga Ambasada Amerikane përmes OJQ-se “Agro Eko” dhe pastaj do te shikohet mundësia se si do të vazhdohet më tutje në konstituimin e Këshillave edhe në fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane të Komunës së Gjilanit./2L ONLINE/