Kryetari komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, ka filluar takimet me përfaqësues institucional dhe të shoqatave të ndryshme në SHBA.
Drejtorët ekzekutiv të Këshillit Nacional Shqiptaro-Amerikan Avni Mustafaj dhe Martin Shkreli duke i uruar mirëseardhje kryetarit të PDSH-së dhe komunës së Preshevës Ragmi Mustafës, janë interesuar fillimisht ti dëgjojë problemet dhe hallet e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, në mënyrë që më pastaj të formojnë edhe një agjendë të takimeve në mes Mustafës dhe kongresistëve dhe senatorëve të SHBA-ve, dhe me ambasadorë të shteteve me ndikim në botë, transmeton titulli.
Mustafa me këtë rast ka elaboruar rreth gjendjes politike, ekonomike dhe atë të sigurisë në Luginën e Preshevës.
Ragmi Mustafa me kongresistin Robert Aderholt
Pas dëgjimit të problemeve në Luginë, drejtorët ekzekutiv të Këshillit Nacional Shqiptaro-Amerikan i kanë mundësuar Mustafës takimin me kongresistin me ndikim në Kongresin amerikan Robert Aderholt.
Aderholt u njoftua nga Mustafa për hallet që kanë shqiptarët që jetojnë në Serbi, që prej kohës së komunizmit e sidomos tash kur në kohën e pluralizmit politikë e në demokraci ende shqiptarët diskriminohen dhe u shkelen të drejtat elementare për jetë.
Me këtë rast kongresisti Aderholt premtoi se do të shtrijë ndikimin e tij që çështja e shqiptarëve në Luginë të Preshevës të trajtohet më ndryshe dhe të drejtat e pakicave sidomos ato të shqiptarëve të respektohen me normat dhe konventat më të larta ndërkombëtare.
Kryetari komunës së Preshevës në SHBA është duke qëndruar me ftesë të Këshillit Nacional Shqiptaro-Amerikan, ku sonte do të marrë pjesë në mbrëmjen Gala të shënimit të 17 vjetorit të themelimit të këtij Këshilli.
Në të janë të ftuar kongresist dhe senator të shumtë e ambasadorë të ndryshëm.
Gjithashtu do të marrin pjesë edhe dy kryeministrat shqiptarë Hashim Thaçi e Edi Rama, ish presidenti i SHBA-ve Bill Clinton, ish sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton, e shumë politikanë e diplomat që kanë ndihmuar dhe kontribuar për çështjen shqiptare në Ballkan