Gjilan – (2LONLINE) – Komiteti për Komunitete ka vizituar të mërkurën Komandën e Policisë së Kosovës në Gjilan, për t`i shprehur falënderime për bashkëpunimin e deritashëm në çështjet e sigurisë dhe projektet e përbashkëta, që kanë rezultuar me krijimin e një ambienti të qetë për të gjithë qytetarët e kësaj komune, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.
Kemal Shahin, kryesues i Komitetit për Komunitete, sikurse edhe anëtarët e kësaj trupe komunale të vendimmarrjes, Fadil Gashi, Enver Hajrullahu, Bardhyl Kadriu, Tomisllav Naskoviq, Galip Hiseni e Zvonko Tasiq u shprehën të kënaqur me punën e policisë së Kosovës.
Falë punës së përbashkët, Gjilani është sot shembulli më i mirë i tolerancës ndëretnike në Kosovë, ka thënë Shahin, duke nënvizuar se në Komitetin për Komunitete, të gjitha komunitetet punojnë dhe vendosin bashkërisht.
Edhe Zvonko Tasiq dhe Tomisllav Naskoviq thanë se policia e Kosovës u përgjigjet të gjitha thirrjeve të bashkësisë serbe në komunën e Gjilanit. “Komuniteti serb në Gjilan nuk ka asnjë problem sa i përket sigurisë dhe lëvizjes së lirë”, ka thënë Naskoviq.
Edhe komuniteti rom është i kënaqur me policinë e Kosovës, ka thënë Galip Hiseni, duke mos e fshehur dëshirën që në radhët e PK-së të ketë edhe ndonjë pjesëtar nga ky komunitet, gjë që hasi në mirëkuptim te eprorët e policisë, të cilët thanë se do ta kenë parasysh këtë kërkesë në të ardhmen, duke rikujtuar se pranimi në polici bëhet në bazë të disa kritereve profesionale, të cilët duhet t`i plotësojë patjetër secili aplikant.
Togeri Nijazi Kolgeci, shef i Sektorit të Operativës dhe kapiteni Remzi Azemi, komandant i Stacionit Policor në Gjilan, premtuan se bashkëpunimi me Komitetin, sikurse edhe qytetarët dhe në veçanti me komunitetet, do të jetë i përhershëm.
“Ne do të jemi pranë jush për t`i identifikuar dhe zgjidhur të gjitha problemet, të cilat janë në përgjegjësi të policisë”, ka thënë Kolgeci, duke nënvizuar se policia është trupë profesionale që trajton në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.
Të njëjtën gjë e ka premtuar edhe komandanti i ri i Stacionit Policor, Remzi Azemi. “Policia do të jetë në shërbim të të gjitha komuniteteve që jetojnë në komunën e Gjilanit gjatë 24 orëve”, ka thënë Azemi.
Komiteti për Komunitete ka ndarë edhe disa mirënjohje për policinë e Kosovës, në shenjë falënderimi për bashkëpunimin e deritashëm. /2lonline/