/2L ONLINE/ – Komiteti për Komunitete e ka përmbyllur orarin vjetor të aktiviteteve me konstatimin se Gjilani është bërë një shembull i mirë i tolerancës ndëretnike në Kosovë, ku merita ka edhe kjo trupë komunale, e cila është angazhuar në vazhdimësi për krijimin e klimës së mirëbesimit në shoqërinë kosovare.
Kemal Shahin, kryesues i Komitetit, ka thënë se për këtë punë të suksesshme, ai është nderuar me mirënjohje nga kryetari i Komunës, ndërkohë që në fillim të vitit të ardhshëm do të kenë ftesë nga kryetari i Republikës së Kosovës, për një vizitë të Komitetit në Presidencë.
Shahin ka thënë se rekomandimet e këtij Komiteti, që kanë qenë zëri i qytetarëve, janë marrë parasysh nga Kuvendi Komunal dhe institucionet tjera komunale.
Përndryshe, Shahin ka thënë se ky është i vetmi Komitet që sivjet ka qenë në takim pune jashtë vendit.
Me arritjet e kësaj trupe komunale, janë shprehur të kënaqur edhe anëtarët Agim Brestovci, Ibish Ibishi, Tomisllav Naskoviq, Zvonimir Tasiq e Fadil Demiroviq.
Përfaqësuesit e komunitetit serb dhe rom, veçmas kanë nënvizuar bashkëpunimin e mirë me Policinë e Kosovës, me KFOR-in turk, sikurse janë shprehur të kënaqur edhe me lirinë e lëvizjes, raportet e mira ndëretnike në mjediset e përziera dhe të tjera.
Duke iu referuar këtij ambienti pozitiv, Tomisllav Naskoviq ka thënë se ky është një hap i madh i shoqërisë kosovare e në veçanti Komunës së Gjilanit.
Për vitin 2017 është kërkuar aktivitet edhe më i madh në terren. Ibish Ibishi ka thënë se vitin e ardhshëm, Komiteti duhet të ketë një plan edhe më dinamik të punës, të ketë takime më të shpeshta dhe të jetë më shumë në terren për t`i evidentuar nevojat e qytetarëve. /2L ONLINE/