Përfaqësuesit e serbëve në institucionet e Kosovës thonë se nuk kanë hequr dorë nga kërkesa e tyre që komuniteteve edhe për një mandat tjetër t’ju vazhdohen vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Nenad Rashiq, thotë se në këtë drejtim tash për tash nuk ka ndonjë ndryshim, por në ditën në vijim pritet që kjo çështje të diskutohet me partitë politike.
“Prapë do të insistojmë për vendet e rezervuara. E di që në njëfarë forme ambienti apo mospranimi i idesë nga disa parti politike nuk po shkon në favor të propozimit, po kjo nuk do të thotë se ne do të tërhiqemi apo të dorëzohemi. Ne do të vazhdojmë me të gjitha mjetet, me të gjitha nivelet institucionale, e mjetet demokratike do të përpiqemi ta fitojmë ketë proces”, tha Rashiq për Radion Evropa e Lirë.
Çështja e vendeve të rezervuara në Kuvend për pakicat ka mbetur çështja kryesore e procesit të reformave zgjedhore e kushtetuese në Kosovë.
Lidhur me vazhdimin e 20 vendeve të rezervuara kanë kundërshtuar disa nga parti politike, si Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Teuta Sahatqija, nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh deputete në Kuvendin e Kosovës tha se qëndrimi i LDK-së është shumë i qartë, se nuk duhet të ketë më vende të rezervuar për komunitetet në kuvend.
“Qëndrimi i LDK-së është shumë i qartë, prej fillimit ka qenë që vendet e rezervuara janë të rregulluara shumë mirë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në Kushtetutë thuhet se për dy mandate pas pavarësisë, vendet e rezervuara hiqen dhe mbesin ato të garantuara. Prandaj, qëndrimi zyrtar i LDK-së është që duhet të respektohet Kushtetuta”, tha Sahatqija.
Deputetja Sahatqija theksoi po ashtu se nuk qëndrojnë pretendimet se me vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës, integrimi i komuniteteve do të jetë më i madh në shoqëri dhe institucione.
“Ata nuk kanë kurrfarë interesi që të kyçen në partitë e shumicës, apo në institucionet e shumicës. Prandaj mendoj që vendet e rezervuara duhet të respektojnë atë se çka thotë Kushtetuta. Ne jemi që të mos hapet Kushtetuta në këtë mandat dhe që të arrihet një integrim më i duhur i minoriteteve se sa ky i cili nuk ka sjell integrim të duhur”, tha ajo.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Nenad Rashiq, i cili ka folur në emër të komuniteteve pakicë, thotë se çështja e ulëseve të rezervuara është e ndjeshme dhe se me përkrahjen edhe të faktorin ndërkombëtar në Kosovë, shpreson se do të rregullohet.
“Dëshirojmë ta bindim LDK-në se nuk do ta kishim Kosovën pa e pasur mbështetjen e ndërkombëtareve, në veçanti shtetet e Quint-it. Dhe pasi që e kemi ketë mbështetje të Quint-it besoj që asnjëherë ata nuk e kanë këshilluar keq Kosovën dhe asnjë parti politike”, tha Rashiq duke shtuar se ky subjekt politik, por edhe të tjerët që janë kundër vendeve të rezervuara për komunitete, t’i kenë parasysh rekomandimet e Quint-it.
Ndryshe, drejtuesit në Institutin Demokratik të Kosovës, që monitorojnë punën e Kuvendit, kanë thënë se tendenca e rritjes së vazhdueshme të ulëseve për pakicat në Kuvendin e Kosovës, është jodemokratike dhe e rrezikshme për funksionimin e institucioneve.
Sipas mandatit kushtetues, nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, këto vende shndërrohen në ulëse të garantuara, që nënkupton se pakicat nuk do të mund të marrin sikurse tani, 20 ulëse në Kuvend që në fillim, plus ulëset që i fitojnë me vota, por do t’i kenë gjithsej 20 ulëset e tyre të garantuara.Ndarja bëhet 10 vende për komunitetin serb dhe po aq për komunitetet tjera pakicë. (REL)