Përfaqësues serbë të katër komunave veriore të Kosovës, mbrëmë në orët e vona janë zyrtarizuar për t’i përfaqësuar qytetarët e kësaj pjese të vendit. Sipas raportimit të medieve, ndikim në konstituimin e organeve komunale kishte edhe presioni i madh i Bashkimit Evropian. Raportohet se ka pasur edhe kamuflime, në mënyrë që të fshihet ajo që ka ndikuar në moskunstituimin e deritashëm të organeve komunale në këtë pjesë të Kosovës.
Njëri nga këshilltarët që ka dhënë betimin në Komunën e Zveçanit, Nebojsha Vlajiq, ka thënë se kolegët e tij, por edhe kryetari Vuçina Jankoviç, tashmë kanë marrë detyrat e përfaqësimit të kësaj komune.
Kur është pyetur se a ka pasur shenja të Republikës së Kosovës në deklaratën ku janë nënshkruar, ai ka thënë se pjesa e epërme e deklaratës ka qenë e mbuluar me ngjitës dhe se nuk ka pasur mundësi të shihet se çka shkruante.
“Ngjitësi ka qenë i fortë. Unë kam provuar të shoh se çfarë ka nën të, por ka qenë e pamundur pa u dëmtuar dokumenti. Mendoj që deklarata ka qenë neutrale ndaj statusit të Kosovës”, ka thënë Vlajiq, për Tanjug-un.
Delegatët shqiptarë, ndërkaq, po sipas kësaj agjencie, janë deklaruar me dokumentet shtetërore të Kosovës.
Procesi është monitoruar plotësisht nga OSBE-ja, përfaqësues të Bashkimit Evropian si edhe zyrtarë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës./koha/