(2LONLINE) – Lëvizja FOL ka mbajtur sot konferencën për media përmes së cilës ka bërë publike kërkesën të cilën do t’ia dërgojë komunave të Kosovës për rishikimin dhe plotësimin e Rregullores Komunale për Transparencë në përputhje me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike i miratuar në Tetor të vitit 2010.
Mexhide Demolli-Nimani nga Lëvizja FOL deklaroi se nga të gjeturat e Lëvizjes FOL del se nga të gjitha komunat e Kosovës, 11 prej tyre nuk e kanë publikuar rregulloren për transparencë në ueb faqen zyrtare, siç janë: Klina, Novobërda, Parteshi, Ranillug, Shtërpca, Vitia, përfshirë këtu edhe komunat veriore si Zubin Potoku, Leposaviqi dhe Zveçani, që ueb faqet e tyre janë ende në përpunim dhe Mitrovica Veriore ende nuk ka ueb faqen zyrtar. Ndërsa, Deçani dhe Suhareka, figurojnë se e kanë rregulloren për transparencë tek lista e rregulloreve, mirëpo nuk gjenden komplet rregullorja.
Sipas Demolli-Nimani, vetëm tetë prej komunave të Kosovës (Graçanica, Hani i Elezit, Istogu, Mitrovica, Obiliqi, Prizreni, Rahoveci dhe Vushtrria) kanë bërë ndryshimet dhe plotësimet në rregulloret për Transparencë.
“Kllokoti është rast i veçantë ku ndonëse rregulloren e kanë miratuar në shkurt të vitit 2011 dhe thirren në Ligjin e ri për Qasje në Dokumente Publike, tek afati i përgjigjes në kërkesat për qasje në dokumente publike, figuron ende afati prej 15 ditësh”, tha ajo.
Ndërkaq, 17 komunat e tjera si: Dragashi, Ferizaj, Fushë Kosova, Gjakova, Gjilani, Gllogovc, Junik. Kamenicë, Kaçanik, Lipjan, Malishevë, Mamushë, Podujevë, Pejë, Prishtinë, Shtime, Skenderaj, kanë rregulloret e vjetra e të cilat me ndryshimin e legjislacionit për Qasje në dokumente publike duhet të bëjnë ndryshimet edhe te rregullorja komunale për transparencë.
Ajo tha se ka raste kur komunat kanë miratuar Rregulloren për Transparencë pas vitin 2010, pra, pas miratimit të ligjit të ri, ndërkaq janë thirr në ligjin e vjetër për qasje në dokumente zyrtare 2003/12.
Arsyeja pse duhet të ndryshohet kjo rregullorje është se rregullorja aktuale ndër të tjera thirret në ligjin e vjetër për qasje në dokumente zyrtare nr.2003/12, Ligj ky i cili është shfuqizuar me hyrjen në fuqi të Ligjit për Qasje në dokumente Publike.
Po ashtu, në rregulloren aktuale për transparencë afati kohorë për përgjigjen në një kërkesë për qasje në dokumente publike është 15 ditë, përderisa me ligjin për Qasje në Dokumente Publike është vetëm 7 ditë. Po ashtu edhe forma e kërkesës me rregulloret aktuale është e kufizuar vetëm në formën e shkruar, përderisa me Ligjin për Qasje në dokumente zyrtare thuhet se “Kërkesat për qasje në dokumente parashtrohen në çfarëdo mënyrë e cila i mundëson institucionit publik të identifikojë dokumentin”.
“Prandaj, duke e parë të nevojshme dhe të domosdoshme, që komunat të forcojnë rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, FOL po ju drejtohet me këtë kërkesë Komunave që të bëjnë ndryshimet e nevojshme në Rregulloren Komunale për Transparencë. Ndër të tjera kjo është edhe një nga rekomandimet e dala nga raporti ‘Indeksi i Transparencës për vitin 2012”, ku kërkohet të bëhet harmonizimi i dispozitave ligjore për komunikim dhe informim publik në nivel komunal”, tha Demolli-Nimani. /2lonline/