Edhe përkundër pandemisë me COVID-19, Komuna e Kamenicës ëshë duke u munduar t’i dal në ndihmë bujqëve dhe fermerëve të komunës sonë.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me Drejtorin e Drejtorisës së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Naim Arifin dhe me përfaqësues të Caritasit Zviceran kanë ndihmuar fermerët në fshatin Desivojcë, për të rritur kapacitetet e tyre bujqësore, duke i dhuruar shtylla betoni, sisteme të ujitjes, rrjetë ujitjëse, rrjeta metalike, gajbe plastike për mjedër, spërkatëse dhe kabinet metalik për vendosjen e pesticideve.
I pari i komunës, Qëndron Kastrati ka thënë se të gjithë duhet të angazhohemi për mbështetjen e secilit fermer, pasi që Kamenica ka hapësira gjeografike që ofrojnë kushte të volitshme për zhvillimin e bujqësisë.
“Në Desivojcë, u ndihmuam fermerëve në rritjen e kapaciteteve bujqësore. Në një qytet si Kamenica, ku hapësira gjeografike ofron kushte të volitshme për zhvillimin e bujqësisë, duhet të angazhohemi në mbështetjen e secilit fermer nga të gjitha sektoret. Drejtoria e Bujqësisë në krye me drejtorin Naim Arifin, janë në dispozicion të plotë që të ju asistojnë, këshillojnë e udhëzojnë në çështjet që ju interesojnë. Falënderoj Caritasin Zviceran, për mbështetjen e vazhdueshme në sektorin e bujqësisë”, ka thënë Kastrati.
Ndërsa Drejtori i DBPZHR-së Naim Arifi tha se drejtoria e tij dhe Komuna e Kamenicës janë duke u munduar maksimalisht që të ndihmojnë fermerët nga secili sektor gjatë kësaj kohe të pandemisë.
“Po angazhohemi maksimalisht që fermerëve nga secili sektor, të ju ndihmojmë në rritjen e kapaciteteve për kultivimin e prodhimit bujqësorë edhe në kohë pandemie. Bashkë me Kryetarin Qëndron Kastrati dhe përfaqësues të Caritasit Zviceran, sot kemi bërë shpërndarjen e shtyllave të betonit, rrjetës metalike, sistemin e ujitjes, rezervuar të ujit, gajbe plastike për mjedër, spërkatëse, kabinetin metalik për vendosjen e pesticideve”, ka thënë Arifi.