(2L ONLINE) – Komuna e Gjilanit po vazhdon t’u dalë në ndihmë qytetarëve të saj, duke realizuar shumë projekte në të mirë të tyre, thonë zyrtarë për informim të komunës së Gjilanit. Sipas tyre, ka përfunduar zgjerimi dhe pastrimi i përrockës në fshatin Malishevë, e cila u ka shkaktuar shumë probleme banorëve përreth, ndërsa është duke vazhduar pastrimi i shtratit të lumit “Stanishorka” në rrugën “Halim Aga”.
Për të parë ecurinë e punëve, ka dalë në terren drejtori i Shërbimeve Publike Sokol Haziri, i cili tha me këtë rast se po bëhen punë jashtëzakonisht të mira në favor të qytetarëve dhe me këtë ritëm do të vazhdohet edhe në të ardhmen.
“Është zgjeruar shtrati i përrockës që ka shkaktuar dëme të vazhdueshme në këtë pjesë të fshatit Malishevë. Punimet janë kryer dje dhe siç po shihet është funksional, duke u eliminuar mundësitë e vërshimeve që mund të priten kur ka reshje. Do të vazhdojmë me punë të tilla gjithandej ku ka nevojë dhe sipas kërkesave të qytetarëve, natyrisht në bazë të mundësive buxhetore që i kemi. Ndërsa, këto janë veprime emergjente për pastrimi i lumit “Stanishorka”, ka thënë Haziri.
Me përfundimin e punimeve të përrockës në Malishevë është ndarë tejet i kënaqur Bajram Ismajli që jeton afër saj, duke thënë se me këtë përfundimisht më nuk do të ketë përmbytje në tokat e banorëve të atjeshëm.
Ndryshe, drejtori i Shërbimeve Publike Sokol Haziri potencoi se me dinamikën që është duke u zbatuar dhe veprimet që po i marrin, besojmë shumë që këto premtime të kryetarit Haziri, sa i përket katërshes së madhe të prioriteteve infrastrukturore, do të jenë të realizueshme brenda mandatit katër vjeçar. /2L ONLINE/