/2L ONLINE/ – Zyra e kryetarit të komunës së Vitisë Sokol Haliti, i ka ndihmuar sot familjet kroate të fshatit Letnicë, me pako ushqimore, njiherit edhe një ekip shëndetësor i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Viti, ka zhvilluar kontrolle mjekësorë për këta banorë.
Të pranishëm në këtë aksion ishin edhe kryesuesi i kuvendit Naim Pira , komandanti i Stacionit policor në Viti kapiteni Agim Lipovica, drejtor të drejtorive etj. Kryetari i komunës Sokol Haliti, ka theksuar se ndihmat e sotme që po u shpërndahen banorëve kroat të Letnicës, janë në vazhdën e aksioneve të vazhdueshme që u jepet këtyre banorëve.
“Ndonëse në Letnicë vepron edhe ambulanca dhe ekipet mjekësorë nga Vitia kujdesen vazhdimisht për shëndetin e këtyre banorëve që kryesisht janë të moshuar, sot kemi me vete edhe një ekip shtesë shëndetësor nga QKMF-ja për asistencë mjekësore. Ata kanë nevojë për ndihmë dhe ne këtë po mundohemi që t’ua ofrojmë. E them me përgjegjësi se jam shumë i përkushtuar për gjendjen e këtyre banorëve dhe po angazhohem që ti mbështesim në mënyra të ndryshme”, ka thënë kryetari Haliti.
Për familjet kroate, komuna e Vitisë, gjegjësisht zyra e kryetarit, ndau 34 pako me gjëra ushqimore. Banorët kroat u falënderuan për këtë ndihmë të komunës dhe po ashtu edhe për shërbimet shëndetësore që po u jepen nga QKMF. /2L ONLINE/