“Sot, ishte për vizitë pune Major Selajdin Kastrati, për tu koordinuar rreth aksionit vullnetar të tyre me moton “Ta pastrojmë ambientin tonë ku jetojmë e veprojmë”. Regjimenti i I-rë, bashkë me njësitë e saja në kazermën e Gjilanit, ka shprehur iniciativën dhe gatishmërinë e plotë për pastrimin e mbeturinave dhe hapësirës përreth Liqenit të Livoçit, duke dhënë mesazh pozitiv mbi rëndësinë e shfrytëzimit më të mirë të këtyre hapësirave, duke mos i degraduar me hudhje të mbeturinave nga ana e qytetarëve”, ka bërë me dije nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli.
Sipas tij, edhe Komuna e Gjilanit do t’i bashkëngjitet këtij aksioni, duke dëshmuar vendosmëri të plotë, për t’i dalë në krahë kësaj iniciative të Forcave të Armatosura të Kosovës.
“Mjedisi i pastër është çështje shumë e rëndësishme për fëmijët tanë, për të rriturit, e të moshuarit. Nga ai fitojmë shëndetin e plotë, dhe, krijojmë një imazh pozitiv si vend. Ne vetëm kur ta shikojmë natyrën dhe liqenet tona si një komoditet të cilës ne i përkasim, atëherë mund të fillojmë ta duam dhe ta respektojmë atë”, ka thënë nënkryetari Ismajli, transmeton Portali 2lONLINE.com.
Kujtojmë që ky aksion do të mbahet nesër më datë 08.12.2020, duke filluar nga ora 09:30.
“Shumë punë na presin, për të bërë më shumë dhe për t’i trajtuar hapësirat publike, në mënyrë që ta japim një imazh më pozitiv për vendin dhe shoqërinë”, është shprehur nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli. /2LONLINE.com/