Zyra për Investime dhe Mbështetje të Bizneseve në Viti, në bashkëpunim me Grupin Lokal të Veprimit , si dhe në përkrahje të Projektit për Aftësim dhe Punësim Rural (S4RE), i cili implementohet nga Helvetass Intercooperation, kanë zhvilluar të mërkurën një punëtori me temë “Biznesi për Biznes”.
Prodhuesit e ndryshëm si dhe pronarët e pikave të shitjes kanë paraqitur problemet dhe vështirësitë që ndikojnë në bashkëpunim më të madh në prodhimin dhe shitjen e produkteve të ndryshme.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka thënë se falë bashkëpunimit të ngushtë që ka komuna me donatorë të ndryshëm e në radhë të parë me qeverinë zvicerane, deri më tani janë realizuar shumë projekte si në infrastrukturë ashtu edhe në zhvillimin ekonomik të komunës.
“Si komunë kemi një bashkëpunim të qëndrueshëm me donatorët zviceranë, të cilët përmes projekteve të tyre si DEMOS , ku dje u përurua projekti për shëtitoren skaj lumit Morava, pastaj projektet për ujë të pijes të cilat implementohen përmes CDI-së, ku për momentin po punohet në sigurimin e ujit të pijes për banorët e Verbanit, Smirës si dhe ndërrimit të gypave të ujësjellësit për Vitinë, si dhe projekti për aftësim dhe punësim rural që implementohet nga Helvetass Intercooperation, i cili po ndihmon gratë, fermerët si dhe shoqatat e ndryshme në ngritje të kapaciteteve si dhe zgjerim të veprimtarisë së tyre”, ka thënë kryetari Haliti
Ai ka potencuar se në saje të kësaj mbështetje të projektit S4RE, Vitia është bërë model edhe për komunat tjera në organizimin e shoqatave të grave si dhe iniciativa tjera, si dhe në regjistrimin e bizneseve të reja.
Haliti ka theksuar se komuna në vazhdimësi do të jetë në përkrahje të bizneseve të reja dhe shoqatave të ndryshme, pasi kjo ndihmon në rritjen ekonomike dhe zvogëlimin e numrit të qytetarëve të papunë.
Kurse Luan Hoti, menaxher i projektit S4RE, ka theksuar se ky projekt , i cili më herët është shtrirë në disa komunat tjera të Kosovës, ka ardhur në Viti, në saje të bashkëpunimit të ngushtë të zyrës së kryetarit të komunës dhe zyrave tjera mbështetëse në këtë komunë.
“Si projekt jemi të interesuar në aftësimin dhe punësimin e të rinjve, grave dhe minoriteteve, për ka jemi të gatshëm të mbështesim edhe iniciativat që vijnë nga bizneset dhe shoqatat e ndryshme që grumbullojnë fermerë apo për veprimtari tjera”, ka thënë Hoti.
Ndërsa, Mentor Rexhepi, përgjegjës i ZIMB-së, ka thënë se kjo punëtori është në vazhdën e angazhimeve të zyrës komunale për investime, që të përkrahë prodhuesit që ata më lehtë ti shesin produktet e tyre si dhe të shtojnë kapacitetet në punë.
Ai ka thënë se përmes një bashkëpunimi më të mirë mes prodhuesve dhe pikave shitëse , do të zhvillohet më shumë ekonomia si dhe shtohen vendet e punës. Për prodhuesit vitias problemet që kanë të bëjnë me prodhimin dhe plasminin e prodhimeve si bujqësore ashtu edhe prodhimeve tjera janë, mungesa e trajnimeve profesionale në ushtrimin e veprimtarive të tyre, mungesa e praktikave nga vendet perëndimore, mungesa e pajisjeve teknologjike që ndihmojnë në paketimin dhe shitjen më të lehtë të prodhimeve etj.
/Ibrahim Sefedin/