/2L ONLINE/ – Me rastin e 15 shatorit- Ditës ndërkombëtare të Demokracisë, Kuvendi Komunal i Vitisë në bashkëpunim me komunën e Vitisë ka mbajtur sot një takim me nxënës të shkollës së mesme teknike profesionale “ Jonuz Zejnullahu” në Viti.
Gjatë këtij takimi panelistet kanë folur mbi rëndësinë e demokracisë në nivel lokal, konkretisht mbi organet lokale si të kryetarit si organi më i lartë ekzekutiv dhe të Kuvendit si organ vendimmarrës. Gjatë këtij takimi nxënësit pjesëmarrës patën mundësinë që të parashtrojnë pyetje dhe të diskutojnë mbi demokracinë si sistem i qeverisjes por edhe të njihen me mënyrën e qeverisjes dhe marrjen e vendimeve në nivel lokal.
Zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu gjatë këtij aktiviteti ka thënë se organi më i lartë vendimmarrës në komunë është Kryetari i Komunës i cili zgjidhet me votën e drejtpërdrejtë të qytetarëve por potencoi se ekzekutivi është vetëm propozues.
“Me ligjet e Republikës së Kosovës organi më i lartë ekzekutiv në nivel lokal është kryetari i Komunës i cili zgjidhet me votat e drejtpërdrejta të qytetarëve. Ndërkaq duhet përmendët se ekzekutivi është propozues ndërkaq Kuvendi është vendimmarrës” u shpreh zv. Kryetari Aliu.
Kurse Naim Pira, Kryesues i Kuvendit Komunal të Vitisë, foli mbi punën e Kuvendit komunal përgjegjësitë e saj ku ndër tjerash bëri me dije se në Kuvendin Komunal të Vitisë, veprojnë 27 këshilltarë nga 6 subjekte politike por se ka edhe këshilltarë të cilët janë të pavarur.
Ai tha se nga 27 këshilltarë në këtë Kuvend janë 10 këshilltare femra. Aliu tha se në kuadër të këtij kuvendi funksionojnë edhe komitetet obligative dhe jo obligative, ndërkaq ju bëri me dije të rinjve se mbledhjet e Kuvendit gjithmonë janë të hapura për publikun.
E Milot Lala, përfaqësues i një organizate jo qeveritare që merret me të rinjtë në Viti, ndër tjerash tha se është shumë e rëndësishme që të rinjtë të jenë pjesë të proceseve vendimmarrëse. Përndryshe këtë takim e ka hapur, Fatbardha Emini, Drejtoresh për Kadastër, Pronë dhe Gjeodezi kurse në takim kanë marrë pjesë edhe këshilltarë të Kuvendit komunal të Vitisë. /2L ONLINE/