Në kuadër të Ditës Botërore kundër Duhanit, sot në komunën e Vitisë janë zhvilluar disa aktivitete për promovimin, ndërgjegjësimin, ngritjen e njohurive dhe motivimin e të rinjve, kundër konsumimit të duhanit.
Këto aktivitete, janë realizuar nga ekipet mjekësore të QKMF-së në Viti, në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit, menaxhmentin e shkollave dhe institucionet komunale.
Drejtoresha e DKA-së, Fatbardha Emini dhe drejtoresha e QKMF-së Dr.Vjollca Kadolli-Halili në fjalën e tyre, theksuan se aktivitetet e tilla ndikojnë në rritjen e ndërgjegjësimit kundër dukurive negative në shoqëri.
Për nderë të kësaj dite, fillimisht u mbajt ligjëratë në SHFMU “Bafti Haxhiu“, me nxënësit e klasave të IX-ta, duke vazhduar me SHFMU “28 Nëntori”, në Vërban dhe Sadovinë të Jerlive.
Nxënësit u njoftuan që brenda një viti, nga pirja e duhanit vdesin 8 milionë njerëz. Ndikimi negativ i duhanit dhe tymit të duhanit ka si rezultat shumë sëmundje të rënda si: kanceri i mushkërive, kanceri i fytit dhe zgavrës se gojës, sëmundjet e zemrës, enëve të gjakut dhe trurit, bronkiti kronik, sëmundjet kronike joinfektive dhe shumë sëmundje të tjera.
Gjatë ligjëratave si dhe në qytet, nga ekipa e stafit mjekësorë u shpërndanë fletëpalosje për efektet negative të pirjes së duhanit në shëndet, si dhe ndërgjegjësimi se si ta luftojmë këtë dukuri. Përndryshe , Dita Botërore pa Duhan, shënohet me 31 maj, prej vitit 1978. /2LONLINE/