Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka mbajtur sot një mbledhje me Këshillin e Drejtorëve, ku në veçanti është diskutuar për propozim buxhetin e komunës së Vitisë, për vitin 2023-2025 i cili së shpejti pritet të shkoj për shqyrtim në Komitetin për Politikë dhe Financa dhe Kuvendin Komunal të Vitisë.
Me këtë rast gjatë këtij takimi u bë me dije se Komuna e Vitisë, ka mbajtur edhe gjatë këtij viti dëgjimet publike për buxhet me qytetarë dhe grupet e interesit.
Kjo u bë me qëllim që qytetarët vitias të njoftohen me propozim buxhetin për vitin në vijim dhe të jenë pjesë e hartimit të buxhetit në veçanti të listës për investime kapitale.
Ndërkaq kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, potencoi se kjo komunë me buxhetin e vitit në vijim do të realizojë projekte të ndryshme qoftë me buxhet komunal apo me bashkë participim me partnerët e ndryshëm dhe atë në të gjithë territorin e komunës së Vitisë.
Ndërkaq Besnik Imeri, drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim në Viti, paraqiti propozim buxhetin komunal 2023-2025, ku sipas këtij dokumenti buxheti i tërësishëm për vitin në vijim pritet të jetë 14 milion e 996 mijë euro.
Ky buxhet pritet të ndahet në këto kategori ekonomike: paga dhe shtesat 7 milion e 609 mijë €, mallrat dhe shërbime 2 milion e 432 mijë €, shpenzime komunale 325 mijë €, subvencione dhe transfere 570 mijë € dhe shpenzime kapitale 4 milion e 059 mijë €. /2LONLINE/