Komiteti për Emergjencë dhe Shpëtim i komunës së Vitisë, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës në të cilën është diskutuar për gjendjen aktuale dhe marrjen e masave për parandalimin e përhapjes së Pandemisë Covin 19.
Kryetari i komunës Sokol Haliti, që edhe kryeson këtë komitet, ka kërkuar një angazhim të tërësishëm të të gjithë sektorëve, për fillim të fazës së dytë të menaxhimit të situatës.
Nga java e ardhshme parashihet të fillohet sërish me pastrimin-klorifikimin e rrugëve, trotuareve e shesheve, si dhe dezinfektimin e objekteve publike.
Kryetari Haliti ka kërkuar që të shqyrtohen listat e familjeve në nevojë, në mënyrë që të fillohet me fazën e dytë të shpërndarjes së pakove ushqimore dhe në këtë mënyrë, në koordinim të ngushtë me Këshillat e fshatrave, të listohen familjet që kanë nevojë për gjëra elementare ushqimore.
Po ashtu, në këtë mbledhje, u diskutua edhe për planin e veprimit në tri javët e ardhshme, për çka edhe u apelua tek qytetarët që të kenë kujdes dhe të respektojn masat nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, që të kufizojn lirinë e lëvizjes dhe të qëndrojn në shtëpi.
Ndërsa sa i përket situatës në fshatin Stubëll, Komiteti për Emergjencë dhe Shpëtim është në kontakt të vazhdueshëm me këshillin e fshatit, por edhe me banorët, ndërkohë që raportohet se gjendja shëndetsore e të infektuarve nga ky fshat, vazhdon të jetë e mirë dhe stabile.
Nga ana tjetër, drejtori i Inspektoratit në Viti Skender Ahmeti, ka theksuar së kjo drejtori ka të angazhuar nga dy inspektor me rotacion, për inspektim të gjendjes në tërë territorin e komunës së Vitisë.