(2LONLINE) – Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në bashkëpunim me Drejtorin për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural të Komunës së Vitisë dhe në mbështetje të Policisë së Kosovës kanë bërë mbylljen e rrugicave që janë përdorur nga personat të pa ndërgjegjshëm për prerjen ilegale të pyjeve .
Sipas Drejtorit të DSHPE-së Nexhmedin Jakupi mbyllja e rrugicave të tilla është bërë në fshatin Mjak, Samakovë, Letnicë, Shashare dhe Debelldeh, si dhe gjithashtu është bërë mbyllja e rrugicave që çojnë në hyrje të pyllit në fshatin Stançiq, në afërsi me kufirin e Maqedonisë. Sipas tyre kjo është bërë me qëllim që të mbrohen pyjet e kësaj komune nga prerjet ilegale që po bëhen vazhdimisht nga personat e pa ndërgjegjshëm.
“Mbyllja e këtyre rrugicave është bërë në bashkëpunim me drejtorin e Bujqësi, Pylltarisë dhe Zhvillim Rural si dhe në mbështetje të Policisë së Kosovës, Stacioni Policor në Viti dhe për këtë i jemi shumë mirënjohës atyre. Qëllimi kryesor i këtij aksioni është mbrojtja e pyjeve të komunës sonë nga prerjet ilegale” u shpreh Jakupi.
Ai tha se aksioni i Komunës së Vitisë për mbylljen e këtyre rrugicave ka zgjatur disa ditë por theksoi se ky aksion fatmirësisht ka kaluar pa probleme ndërsa potencoi se mbyllja e tyre është bërë me ekskavator komunal. /2LONLINE/
/fotoilustirm/