Komuna e Vitisë i është përgjigjur situatës së re të krijuar, pas paraqitjes së nëntë rasteve të reja me gripin pandemik.
Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Vitisë ka analizuar sot gjendjen dhe ka ngritur gatishmërinë për të përballur sa më mirë me rrezikun nga Covid-19.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili njëherit kryeson këtë komitet, është shprehur i brengosur për shëndetin e qytetarëve, por ka thënë se janë në gatishmëri me të gjitha kapacitetet për të ndihmuar.
“Padyshim jemi pak të shqetësuar me këto rastet e reja: tre në Viti, tre në Goshicë dhe tre më Pozheran, të gjitha raste të kontaktit. Jemi në koordinim me komponentën shëndetësore dhe me Policinë e Kosovës për masat dhe veprimet e duhura. Po përpiqemi të identifikojmë edhe persona të tjerë me të cilët kanë pasur kontakt të infektuarit”, ka thënë kryetari Haliti.
Ai ka kërkuar bashkëpunim e të gjithëve për të tejkaluar këtë gjendje sa më lehtë që jetë e mundur. Poashtu është kërkuar edhe ritestimi i katër personave në Stubëll të Epërme, të cilët pas 38 ditëve në izolim të plotë, sërish kanë dalë pozitiv me virusin Covid-19. Kjo do të qartësonte situatën dhe do të krijonte mundësinë për ta liruar këtë fshat nga izolimi.
Ndryshe nga sot janë shtrënguar masat e qarkullimit nê fshatin Goshicë dhe në ndërtesën ku banon njëri nga të infektuarit.
Ndërkohë do të vazhdojë dezinfektimi i hapësirave dhe objekteve publike si dhe pastrimi dhe klorifikimi i rrugëve dhe shesheve.
Deri tani Komuna e Vitisë ka 33 të infektuar me virusin Covid 19, tre prej tyre janë të shëruar.