Në bazë të Vendimit për themelimin e Bashkëpunimit mes komunave, është nënshkruar sot në Viti, marrëveshje bashkëpunimi të ndërsjellë ndërmjet Komunës Velika Pisanica dhe Komunës së Vitisë.
Marrëveshja është nënshkruar për zbatimin e Vendimit për vendosjen e bashkëpunimit të ndërsjellë në fushat e ekonomisë, kulturës, arsimit dhe bashkëpunimit, si dhe nxitjen e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet subjekteve ekonomike, institucioneve arsimore, kulturore dhe sportive dhe shoqërisë civile.
Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka vlerësuar marrëveshjen si shumë të rëndësishëm, që vendos ura bashkëpunimi në fusha mes të dyja komunave.
“Jam shumë I nderuar që sot nënshkruam këtë marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin z.Pali, që do të na shërbej si shembull i shkëmbimit të përvojave mes dy komunave. Ky është orientim i progresit në të ardhmen, prandaj edhe e konsideroj me peshë këtë marrëveshje” ka thënë kryetari Haliti.
“E rëndësishme është kjo marrëveshje për faktin se në rajonin e kësaj komune, jeton një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të komunës së Vitisë nga nacionaliteti kroat, respektivisht në Bjellovarë dhe Bilogore”, u shpreh kryetari i Velika Pisanicës, Fredi Pali.
Ai u shpreh mirënjohës për ofrimin e bashkëpunimit me komunën e Vitisë dhe e çmoj lartë arritjen e kësaj marrëveshje për bashkëpunim të ndërsjellët.
Në bazë të kësaj marrëveshje, të dyja komunat do të inkurajojnë bashkëpunimin e ndërsjellë në fushën e turizmit, promovimin e ofertës turistike, shkëmbimin e prospektit dhe informacionit dhe organizimin e manifestimeve propagandistike dhe ekspozitave.
Në fushën e bujqësisë, bashkëpunimi i ndërsjellë do të nxitet nga shkëmbimi i përvojave dhe arritjeve teknologjike, organizimi i ekspozitave, prezantimi i përbashkët dhe të ngjashme.
Bashkëpunimi ekonomik do të zhvillohet veçanërisht në fushën e turizmit, bujqësisë, tregtisë dhe artizanatit.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryetarët e të dyja komunave shkëmbyen dhurata e mirënjohje, ndërkohë që udhëheqja komunale e Vitisë u ftua që me 28-30 qershor, të vizitoj komunën e Pisanicës.