(2L ONLINE) – Përfaqësuesit e Komunës së Klllokotit, bizneseve, shoqërisë civile si dhe përfaqësuesit e departamentit për partneritet publiko –privat të Ministrisë së Financave të Kosovës, janë pajtuar se realizimi i projekteve përmes partneritet publiko privat, është një mundësi e mirë për zhvillimin ekonomik të komunës së Kllokotit.
Ata në një debat me temë “Partneriteti Publiko –Privat –mundësitë dhe sfidat” , të organizuar nga OJQ Elita- Viti, në bashkëpunim me Komunën e Kllokotit dhe në përkrahje të Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, kanë vlerësuar se Komuna e Kllokotit, ka potencial për realizimin e projekteve përmes partneritetit publiko –privat, pasi si komunë e re ka pasuri të mëdha natyrore.
Kryetari i komunës, Sreçko Spasiq, pasi ka vlerësuar lartë organizimin e kësaj tryeze, ka theksuar se kjo tryezë është një mundësi e mirë që komuna bashkërisht me bizneset të diskutoi mundësinë e investimeve të përbashkëta ku mund të përfitojnë qytetarët. Ai ka thënë se pasuritë që ka komuna e Kllokotit, janë një mundësi e mirë për iniciativa të përbashkëta në realizimin e projekteve ku përfitojnë qytetarët.
Ndërsa Hasan Rashiti, nënkryetar i komunës , ka theksuar se komuna e Kllokotit, ka resurse të mëdha natyrore, si ujin mineral dhe termal,tokën me bonitet të lartë, por edhe mundësi tjera që mundësojnë investime ku mund të përfitojnë bizneset dhe qytetarët.
Ndërsa, Mustafë Hasani, zyrtar i departamenti për PPP në Ministrinë e Financave, ka thënë se Kosova tani më e ka të rregulluar me ligj mundësinë e investimeve përmes partneritetit publiko –privat, dhe se për këtë qëllim është themeluar edhe departamenti i veçantë që u ndihmon komunave për të realizuar projekte përmes këtij partneriteti.
Ai ka thënë se edhe pse partneriteti publiko –privat është diçka e re në Kosovë,deri më tani janë realizuar shumë projekte që kanë rezultuar edhe si të suksesshme. Ai ka inkurajuar bizneset që të marrin iniciativa për projekte të tilla, pasi sipas tij kjo është mundësi shumë e mirë që krahas profitit , qytetarëve t`iu ofrohen shërbime
Afaristët dhe përfaqësuesit e bizneseve që operojnë në komunën e Kllokotit, kanë thënë se janë të interesuar që të realizojnë projekte përmes PPP, por paraprakisht komuna duhet të identifikoi fushat në të cilat mund të realizohen këto projekte si dhe pronat ku mund të realizohen projektet e tilla./2L ONLINE/