(2L ONLINE) – Komuna e Gjilanit është solidarizuar sot me kërkesat e punëtorëve të shërbimit të zjarrfikësve, të cilët tashmë në mbarë vendin kanë hyrë në grevë. Konfirmimin e mbështetjes në kërkesat e tyre e ka dhënë sot shefi i Kabinetit të kryetarit Lutfi Haziri, Arbër Ismajli, i cili së bashku me drejtorin për Mbrojtje dhe Shpëtim, Halit Rexhepin ka vizituar Shërbimin e Zjarrfikësve, ku janë pritur nga komandanti i këtij shërbimi Shaip Ismaji dhe kryetari i sindikatës Safet Xhelili dhe punëtorët grevistë.
Ismaji e Rexhepi kanë thënë se kërkesat kryesore të grevistëve kanë të bëjnë ekskluzivisht me qeverinë e Kosovës, duke iu premtuar që me të gjitha kapacitetet komunale do t’u dalin në ndihmë ajo që varet nga Komuna e Gjilanit.
“Prezenca jonë këtu nënkupton solidaritet me kërkesat tuaja sepse jemi të vetëdijshëm për kontributin tuaj, për rreziqet që përballeni gjatë intervenimeve tuaja vetëm e vetëm për t’u dalë në ndihmë qytetarëve që u kanoset rreziku nga zjarret. Gjithçka që varet nga Komuna, do ta bëjmë të pamundurën që t’ua përmbushim nevojat, por mos harroni se Komunën e kemi marrë me probleme të mëdha, me borxhe të trashëguara. Por, po ua them se kërkesat tuaja janë të drejta dhe të arsyeshme. Vazhdoni kërkoi të drejtat tuaja në mënyrë institucionale”, ka thënë shefi i Kabinetit, Arbër Ismajli.
Ndër kërkesat e shumta të zjarrfikësve janë edhe ato për pagesën për orët shtesë, për punën gjatë natës, shujtat etj. /2L ONLINE/