(2L ONLINE) – Komuna e Gjilanit e udhëhequr nga Lutfi Haziri do të organizojë Gala mbrëmje humanitare me komunitetin e biznesit dhe qytetarët e vullnetit të mirë në Gjilan për të rritur Fondin për ndihmë familjeve që kanë nevojë për strehim dhe banim, bënë të ditur Arbër Ismajli, shef i Kabinetit të kryetarit Haziri .
Kësisoj, Fondi prej 100 mijë euro i Komunës së Gjilanit pritet të rritet nga njerëzit e vullnetit të mirë, të cilët do të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve në nevojë.
Arbër Ismajli, shef i Kabinetit të kryetarit Haziri, gjatë takimit të sotëm me grupin punues për organizimin e kësaj mbrëmjeje, ka thënë se në takimet e shumta që Komuna ka pasur me afaristët gjilanas, është shfaqur vullnet i madh për ndihmë për t’u siguruar familjeve kulm mbi kokë, duke shpresuar që fondi i Komunës do të rritet në mënyrë të kënaqshme.
Gala Mbrëmja Humanitare do të mbahet javën e ardhshme me moton: “Pak nga ne, shumë për ata”.
Deri tash, në Komunën e Gjilanit kanë ardhur 112 kërkesa nga qytetarët për ndërtim të shtëpive, meremetim dhe pagesë për qira. /2L ONLINE/