Komuna e Gjilanit ka nisur sot implementimin e pilot-projektit të kompostimit të mbeturinave organike në lagjen Zabel i Sahitagës, përkatësisht në shkollën fillore “Zija Shemsiu”, projekt ky i cili po realizohet në bashkëpunim me Green Art Centre dhe organizatën gjermane GIZ.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili shpalli të hapur këtë pilot-projekt, ka falënderuar organizatën Green Art Centre Prishtina dhe organizatën gjermane GIZ për mbështetjen në këtë dhe projekte të tjera.
“Kompostimin si proces e praktikon secila familje, megjithëse jo në masën se si do të duhej apo na Komunë si po e shohim të arsyeshme të bëhet. Bashkë me GIZ-in dhe Green Art Centre, po e fillojmë procesin me këta komposterë që po shpërndahen sot, si fazë testuese në këtë zonë, për të vazhduar më pas edhe me pjesët tjera të qytetit. Në të njëjtën kohë, po punojmë në përgatitje e implementim edhe të projekteve të tjera që janë në fushën e ekologjisë dhe ambientit”, ka thënë kryetari Hyseni.
Këshilltari i projektit të GIZ-it “Shërbime të Qëndrueshme Komunale”, Genc Demiraj, tha se kompostimi është mënyra më e lehtë dhe me kosto më të vogël për t’i trajtuar mbeturinat organike.
Përfaqësuesi i organizatës Green Art Centre Prishtina, Pajtim Kastrati, tha se paraprakisht, me grupin punues të Komunës së Gjilanit, janë mbajtur trajnime mbi atë se si përdoret komposteri, çfarë kapaciteti ka dhe si duhet të zbatohet nga qytetarët dhe nga institucionet shkollore.
Në këtë ngjarje nxënësit e shkollës “Zija Shemsiu” kanë demonstruar se si hedhen mbeturinat organike në komposter të formatit 280 litërsh, ndërkaq më pas u janë shpërndarë qytetarëve për përdorime shtëpiake. /2LONLINE/